Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi deklaron se pas apelit publik për videot intime të artistëve të publikuara në TikTok, reagimi ka qenë i menjëhershëm.
Sipas saj, në institucion kanë mbërritur një numër i madh ankesash nga qytetarë, artistë të prekur dhe organizata të shoqërisë civile.
Statistikat tregojnë se ankesat për këtë rast përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të raportimeve të administruara nga AMA gjatë vitit 2026. Nga bashkëpunimi me platformën TikTok, deri më tani janë bllokuar 45 materiale, ndërsa 9 të tjera vijojnë të jenë në shqyrtim.
“Nëse nga shkurti deri në fillim të tetorit kemi administruar në institucion 326 ankesa, nga të cilat 140 janë gjetur në shkelje dhe platforma ka hequr 112, për rastin në fjalë vetëm gjatë kësaj jave janë përpunuar 54 ankesa, të gjitha në shkelje të legjislacionit dhe kodit të transmetimit. Për këtë arsye, i jemi drejtuar TikTok-ut, i cili ka hequr deri në momentin që flasim 45 të tilla dhe 9 të tjera janë ende në shqyrtim”, u shpreh Krasniqi.







