Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ngritur shqetësimin se takimet e tij me avokatin në paraburgim survejohen dhe regjistrohen nga kamerat e sigurisë.
Pretendimi u bë gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, ku edhe avokati Bujar Musta denoncoi këtë situatë, duke deklaruar se të gjitha takimet me të mbrojturin e tij filmohen.
“Të gjitha takimet e mia me të mbrojturin prej meje në paraburgim survejohen nga kamerat që regjistrojnë”, u shpreh Musta.
Për këtë shqetësim, trupi gjykues tha se do t’ua përcjellë informacionin autoriteteve të burgjeve.
Gjatë së njëjtës seancë, GJKKO rrëzoi edhe dy kërkesat e Metës, atë për lejimin e regjistrimit dhe transmetimit live të seancave gjyqësore, si dhe kërkesën për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit.







