Studentët vijojnë protestën duke theksuar se lëvizja është apolitike dhe nuk përfaqëson asnjë forcë politike. Në ditën e dytë të revoltës para Ministrisë së Arsimit, ata u bëjnë thirrje të rinjve të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen tubimit.
“Kjo protestë është antipartiake”, është mesazhi që përcjell studentja, Megi Pelivanaj e cila shton se partitë politike nuk duhet të ndërhyjnë në lëvizjen e tyre, por t’u lënë hapësirë qytetarëve dhe studentëve të kërkojnë të drejtat e tyre.

Përtej kërkesave për përmirësimin e kushteve në universitete dhe arsimin e lartë, protesta po shoqërohet edhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Studentët theksojnë se janë ngritur për të drejtat e tyre dhe se bojkoti i mësimit është një mënyrë për të shtuar presionin ndaj institucioneve. Ata u bëjnë thirrje edhe studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen, duke insistuar se kjo është një revoltë qytetare, jashtë ndikimit të partive politike.








