Nga Boldnews.al
Në korrik të këtij viti, Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, u shfaq me pozita triumfatori, kur deklaroi se punimet për zgjerimin e rrugës së Ksamilit kishin përfunduar.
I shoqërua nga vartësit e tij, Karakaçi kreu videon e radhës propagandistike, në të cilën deklaroi se: “Punimet për zgjerimin e rrugës hyrëse në Ksamil kanë përfunduar. Tashmë ky segmenti i parë i kësaj vepre është i hapur për qarkullimin e automjeteve duke lehtësuar ndjeshëm lëvizje”.
Natyrisht, rruga nuk ka përfunduar ende, por për qeveritarët e kryeministrit Edi Rama është shumë e rëndësishme të shfaqen në mënyrë periodike në media, për të bindur qytetarët se ata po punojnë sa më mirë.

Megjithatë, Karakaçi, ashtu siç edhe pritej, nuk ka asnjë qëndrim për mënyrën se si u realizua tenderi me një vlerë më shumë se 16 milionë euro. Të dhënat e konsultuara nga “Boldnews.al” tregojnë se procedura e prokurimit publik, e zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, “skuq” nga flamujtë e dyshimit.
Tenderi me flamur të kuq
Në prill të vitit 2024, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) shpalli procedurën “Zgjerimi i rrugës së Ksamilit”, me fond limit 1.666.361.655 lekë të reja. Ishte koha kur Ministria e Infrastrukturës drejtohej nga Belinda Balluku, ndërsa ARRSH-ja nga Gentian Gjyli, dy zyrtarë të lartë që tashmë janë pjesë e të njëjtës dosje hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për abuzime me tendera publikë.

Në garë rezulton se kanë marrë pjesë 10 operatorë ekonomikë. Në përfundim, ARRSH-ja, skualifikoi plot 7 prej tyre, një pjesë e të cilëve me ofertën më të ulët.
Tenderin e fitoi një prej tre operatorëve ekonomikë që mbetën në garë, një bashkim operatorësh që drejtohet nga “Agbes Construction”, dhe me pjesëmarrjen e “Balili Konstruksion” e “Arti” shpk. Portali informativ i specializuar për prokurimet publike, “open.procurement”, e ka listuar tenderin 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës së Ksamilit me “flamur të kuq”.
Ky përcaktim nuk përbën domosdoshmërisht aferë korruptive, pasi kjo mund të vërtetohet vetëm mbi bazën e një hetimi të mundshëm penal nga autoritetet e drejtësisë.
Megjithatë, “open.procurement” e ka vendosur tenderin 16 milionë euro në listën e “flamujve të kuq”, me shënimin: “Skualifikim i ofertave me vlerë më të ulët”.
Karakaçi
Detajet e procedurës së dyshimtë nuk kanë hyrë aspak në radarin e ministrit të Infrastrukturës, Enea Karakaçi. Ai u shfaq në mesin e korrikut në Ksamil vetëm për të dhënë imazhin se çdo gjë shkon në rregull. Madje, ai u përpoq të tregojë se qeveria ku ai bën pjesë është shumë e ndjeshme ndaj natyrës.

“Në këtë projekt, krahas zgjerimit të segmentit rrugor të Ksamilit, i është kushtuar një vëmendje e veçantë edhe mjedisit. Kemi patur një vëmendje shumë të veçantë edhe për sa i përket aspektit mjedisor të projektit, duke qenë se sigurisht që lidhemi edhe me pjesën e Butrintit, kështu që ka patur një vëmendje të shtuar nga pikëpamja mjedisore”, tha Karakaçi.
Deklaratat e Karakaçit, me shumë mundësi, janë dukur shumë butaforike për banorët e Ksamilit dhe ata që jetojnë pranë Butrintit. Qytetarët e zonës, prej disa vitesh, po shohin se si po betonizohet bregdeti i mrekullueshëm me “pika të voçkla” resortesh e fshatesh turistike, të miratuar nga shefi më i lartë i Karakaçit, kryeministri Edi Rama.








