Raporti vjetor i progresit të Komisionit Evropian (KE) për Shqipërinë publikohet në një moment kur rrugët e Tiranës mbajnë ende gjurmët e protestave: mbetje të koktejeve Molotov, predha gome dhe një mjegull e dendur gazi lotsjellës. Raporti vjen në një periudhë veçanërisht domethënëse, kur qeveria e Edi Ramës e ka bërë protestën paqësore jo vetëm gjithnjë e më të vështirë, por praktikisht të paligjshme, përmes një serie aktesh ligjore që synojnë jo vetëm demonstruesit, por edhe këdo që ndodhet pranë një hapësire publike që, sipas qeverisë, mund të kthehet në vend proteste.
Ndonëse njeh të ashtuquajturin Revolucioni Flamingo si “mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik i Shqipërisë” dhe pranon se kërkesat e tij lidhen me “transparencën, llogaridhënien, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë”, raporti nuk shkon deri aty sa të përballet me kushtet politike që kanë nxitur përshkallëzimin e lëvizjes.
Në veçanti, ai nuk arrin të lidhë rikthimin e protestave me tone më konfrontuese në tetor, kur studentët iu bashkuan sërish tubimeve, me reagimin represiv të qeverisë ndaj mobilizimit paqësor dhe ngushtimin sistematik të hapësirës për kundërshtimin publik. Kjo bie ndesh me vetë vlerësimin e raportit se shoqëria civile vazhdon të “operojë në një mjedis pjesërisht mundësues”.
Duke u bërë thirrje të gjitha palëve që “të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në dialog konstruktiv”, Komisioni Evropian e paraqet situatën si një dështim komunikimi mes palëve që, në dukje, kanë pozita të barabarta. Kështu, ai anashkalon pabarazinë thelbësore të pushtetit mes një qeverie që kontrollon aparatin shtetëror dhe qytetarëve që kërkojnë llogaridhënie prej saj. Më e rëndësishmja, raporti nuk përmend qëndrimin shpërfillës dhe arrogancën politike të qeverisë, e aq më pak trajton përdorimin në rritje të mjeteve shtrënguese dhe instrumenteve ligjore për të shtypur kundërshtimin, përfshirë kriminalizimin gjithnjë e më të hapur të protestës.
Kjo kontradiktë bie veçanërisht në sy kur, pak më vonë, raporti u kërkon autoriteteve të “marrin të gjitha masat për të garantuar që çdo pretendim ndaj policisë të hetohet menjëherë”, por nuk ushtron të njëjtin shqyrtim ndaj përgjegjësisë politike të qeverisë për miratimin e brutalitetit policor, përfshirë dhunën ndaj gazetarëve, të cilët vetë Komisioni i konsideron se punojnë në një mjedis tejet kërcënues.
Komisioni është dukshëm më i drejtpërdrejtë, megjithatë, kur trajton ankesat mjedisore që shkaktuan fillimisht protestat. Në kapitullin 27, për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike, ai e lidh shprehimisht përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës me ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe me zgjatjen e zbatimit të kuadrit për Investimet Strategjike. Në këtë mënyrë, ai konfirmon në thelb shqetësimet e ngritura prej kohësh nga protestuesit. Kritika e Komisionit nuk kufizohet vetëm te mangësitë teknike në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, por shkon te zgjedhjet politike dhe ndërhyrjet ligjore që kanë dobësuar garancitë mjedisore dhe mbrojtjen e zonave me rëndësi ekologjike.
Vlerësimi i Komisionit ka rëndësi të veçantë, pasi pranon se protestat janë një reagim i drejtpërdrejtë ndaj politikave konkrete qeveritare, të cilat vendosin interesat e diskutueshme të investimeve strategjike dhe zhvillimit ekonomik mbi mbrojtjen e mjedisit dhe standardet e shtetit të së drejtës.
Pamja bëhet edhe më shqetësuese nga referenca që KE i bën hetimeve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për zhvillimin në shkallë të gjerë brenda peizazhit të mbrojtur Pishë Poro–Nartë, veçanërisht në Zvërnec. Prokurorët po shqyrtojnë kalimet e titujve të pronësisë të lidhura me zhvillimin e planifikuar të zonës, si dhe masat parandaluese për sekuestrimin e pasurive dhe një urdhër-arresti ndaj njërit prej pronarëve të tokës, për shkak të lidhjeve të mundshme me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave në shkallë të gjerë.
Kjo ka rëndësi sepse vetë gjetjet e Komisionit nxjerrin në pah interesat e thella politike që qëndrojnë pas protestave: jo vetëm që politikat qeveritare kanë dobësuar mbrojtjen mjedisore për t’u hapur rrugë interesave të diskutueshme zhvillimore, por edhe vetë projektet janë përfshirë në hetime që lidhen me krimin e organizuar. Për rrjedhojë, çështja shkon përtej mbrojtjes së mjedisit dhe lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e shtetit të së drejtës për të kufizuar ndërthurjen e interesave politike, ekonomike dhe kriminale, veçanërisht kur institucionet që kanë për detyrë t’i hetojnë dhe t’i mbajnë përgjegjëse këto interesa janë vetë të ekspozuara ndaj presionit dhe ndërhyrjeve politike.
Pikërisht ky dimension institucional del në pah në kapitujt 23 dhe 24 të raportit, që trajtojnë gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Komisioni pranon se ka pasur “përpjekje nga zyrtarë publikë dhe politikanë, përfshirë edhe në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulme personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet”.
Një sjellje e tillë pasqyron një problem më të thellë në marrëdhënien e pushtetit ekzekutiv me pavarësinë e drejtësisë dhe kufijtë e llogaridhënies institucionale. Një shembull domethënës është përplasja e zgjatur mes qeverisë dhe këshillave drejtuese të gjyqësorit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e gjyqtarëve, e cila ka penguar funksionimin normal të sistemit gjyqësor.
Një model i ngjashëm vihet re edhe në rastin e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Pas pezullimit të saj me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), SPAK i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit parlamentar. Komisioni është veçanërisht kritik ndaj reagimit që kjo çështje shkaktoi në pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ, duke vënë në dukje se ai përfshiu sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore.
Raporti evidenton gjithashtu përpjekjet e përsëritura të politikanëve për të vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe sulmet verbale ndaj gjyqtarëve të veçantë. Sipas Komisionit, këto veprime kanë krijuar një mjedis armiqësor për gjyqësorin, deri në atë pikë sa “tetë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, përfshirë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë”.
Gjetjet e Komisionit nxjerrin kështu në pah një kontradiktë më të gjerë në thelb të reformës së shtetit të së drejtës në Shqipëri: ndërsa institucionet gjyqësore forcohen formalisht përmes reformës së nxitur nga BE-ja, aftësia e tyre për të ushtruar autonomi institucionale mbetet e cenueshme nga presioni politik dhe ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv. Këto dobësi nuk kufizohen vetëm te gjyqësori. Vlerësimi i Komisionit për Parlamentin dhe reformën zgjedhore evidenton një deficit të ngjashëm në mekanizmat institucionalë që duhet të garantojnë llogaridhënien politike dhe mbikëqyrjen demokratike.
Dështimi i Parlamentit për të përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe efektive ka pasoja veçanërisht të rëndësishme për reformën zgjedhore. Kjo reformë është një hap i domosdoshëm për të dalë nga kapja politike e Parlamentit dhe për të rikthyer aftësinë e tij për të ushtruar mbikëqyrje të pavarur. Komisioni e konsideron këtë proces urgjent përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Ndërsa identifikon me të drejtë mangësitë në kuadrin ligjor zgjedhor dhe nevojën për transparencë më të madhe në financimin dhe reklamimin e partive politike, raporti i KE-së nxjerr në pah edhe një mospërputhje thelbësore: komisioni i ngarkuar me hartimin e reformës përjashton të gjitha partitë opozitare, përveç partisë kryesore të opozitës, duke riprodhuar pikërisht mungesën e gjithëpërfshirjes politike që reforma synon të korrigjojë.
Megjithatë, ndoshta aspekti më domethënës i raportit nuk qëndron te ato që Komisioni pranon apo rekomandon, por te qasja politike që e lejon atë të shpërfillë shpesh pasojat e gjetjeve të veta. Duke e trajtuar anëtarësimin e Shqipërisë si një domosdoshmëri kryesisht gjeopolitike, BE-ja rrezikon t’i japë përparësi fasadës së reformave në vend të zbatimit të tyre real. Në këtë mënyrë, ajo mund të shpërblejë përmbushjen formale të kritereve, duke anashkaluar përqendrimin e vazhdueshëm të pushtetit politik dhe dobësimin e llogaridhënies demokratike.
Mbështetja e vazhdueshme e Komisionit për Ramën si një partner të besueshëm është tregues i kësaj kontradikte. Rama nuk është thjesht një partner përmes të cilit duhet të menaxhohet procesi i anëtarësimit, por një aktor politik, praktikat qeverisëse të të cilit, sipas autorit, po minojnë vetë transformimin demokratik që ky proces synon të realizojë.
Në këtë drejtim, BE-ja duhet të shkojë përtej mbështetjes së saj te një lider në pushtet, stabiliteti i të cilit shihet si garanci për procesin e integrimit, dhe të angazhohet në mënyrë domethënëse me të gjithë spektrin demokratik, përfshirë forcat e reja opozitare dhe shoqërinë civile. Në një moment kur janë në lojë si e ardhmja politike e Shqipërisë, ashtu edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së, Brukseli ka ndikim të konsiderueshëm dhe përgjegjësinë për të mos e shpërdoruar atë.
Duke qenë se ekziston një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror në favor të anëtarësimit në BE, si dhe një mundësi e krijuar nga përshpejtimi i procesit të integrimit, çështja kryesore është nëse BE-ja do të jetë e gatshme të sigurojë që anëtarësimi të sjellë një transformim të vërtetë demokratik, dhe jo të legjitimojë një qeveri që realizon reforma në letër, ndërsa në praktikë konsolidon autoritarizmin./ Nga European Western Balkans







