Në veprimtarinë kriminale të bandës së mikrokredive, veprimtari e konfirmuar tashmë edhe nga SPAK, Kredo.al, një tentakulë ruse në Tiranë, ka një rol të rëndësishëm. Duke parë aktivitetin kriminal dhe lëvizjet kamufluese, ngrihen dyshime të forta se Kredo, me të paktën 5 emra të ndryshëm, nuk ka qëllim vetëm zhvatjen e shqiptarëve dhe pastrimin e parave, por edhe destabilizimin e vendit përmes piramidave financiare të ngjashme me ato të ’96, mbledhjen e të dhënave për llogari të qarqeve armiqësore ruse, për qëllime spiunazhi dhe sabotimi. Kjo besohet se është edhe arsyeja se pse Kosova e dëboi Kredon dhe derivatet e saj.
Evidenca të një piramide kriminale
Ashtu si Iute, Kredo i ka shitur mijëra kredi grupit MCA, ADCA dhe Final të dyshes Arben Meskuti dhe Olsi Ibro, ky i fundit u hodh (ose e hodhën) nga maja e një ndërtese në Tiranë pasi Prokuroria e Tiranës goditi skemën dhe në lojë hyri SPAK-u.

Arlinda Muja është drejtoreshë e Përgjithshme dhe aksionere me 3 % te Kredo Finance. Arlinda Muja është gjithashtu kryetare e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare. Pjesë e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë Kredo.al, Iute Credit, Fed Invest, Fondi Besa, Noa, Agrokredit etj., pra i gjithë karteli i mikrokredive.

Për të kontrolluar Arlinda Mujën, pronarët rusë të Kredo, kanë caktuar si administratore dubluese Valentina Marhilevica – Valujeva, e besuar e mashtruesit Aigars Kesenfelds, vegël e oligarkut rus nongrata Oleg Boyko.
Pronari në letra i Kredos është letonezi Aigars Kesenfelds, një personazh i skeduar për mashtrime me pasoja të rënda, skema piramidale, pastrim parash etj., i dëbuar nga Kosova.

Sipas disa investigimeve mediatike, Aigars Kesenfelds është maska e oligarku rus të listës së zezë Oleg Boyko, i sanksionuar nga SHBA, Australia, Kanadaja dhe Ukraina si pjesë e rrethit të besuar të Putinit.
Kredo ndryshon 5 herë emrin për të fshehur lidhjet
Për të fshehur lidhjet dhe kontrollin nga oligarku i Putinit, Kredo ndryshon herë pas here emrin dhe pronësinë. Fillimisht kompania e mikrokredive që zhvat shqiptarët me kredi me interesa deri në 800 %, u regjistrua me emrin Mondo Finance.
Më pas ndryshoi emrin nga Mondo Finance në Kredo Finance. Në vijim kompania e mikrokredive u shfaq me emrin Kredo.al. Me këtë emër njihet gjerësisht.
Më pas kompania u shfaq me emrin Kredo. Në 13 maj 2024, kompania ka ndryshuar sërish emrin nga Kredo në ECFA. Sipas burimeve, rusët e kanë ndryshuar sërish emrin e piramidës së mashtrimit, por që nuk është reflektuar ende në regjistrat zyrtarë.
Themelues i Kredos është letonezi Aigars Kesenfelds, lidhje e oligarkut rus Oleg Boyko.
Në 2018, Aigars Kesenfelds ia shet Kredon kompanisë AS Fenderson Properties, pas të cilës qëndron vetë. AS Fenderson Properties ndryshon emrin në AS Finitera.
Në 2020, AS Finitera ia shet Kredon kompanisë NF Capital për 1.6 milionë euro. NF Capital ndryshon emrin në AS Eleving Consumer Finance Holding.
Të dhënat e shqiptarëve në duart e Kredo
Kredo (ECFA) ka mbledhur të dhënat personale të dhjetëra mijërave shqiptarëve në mënyrë të paligjshme. Prapaskena mëson se Kredo ka një regjistër me të dhënat ku përfshihen gjeneralitetet, adresën e banimit, numrin e telefonit, aktivitetin financiar dhe të dhëna të tjera të mbrojtura me ligj.
Arlinda Muja dhe Valentina Marhilevica janë përgjegjëse për mijëra telefonata shqetësuese ndaj qytetarëve, duke u prezantuar në mënyrë automakike nga një sekretari telefonike, ofertat mashtruese të Kredo.al për të dhënë kredi. Me telefonanat abuzuese, Kredo.al jo vetëm ka prishur qetësinë e mijërave qytetarëve, por ka futur me qindra në kurthin e mashtrimit.
Sfida e komisionit ‘Braçe’
Në Shqipëri është ngritur komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit. Kryetari i këtij komisionit është deputeti Erion Braçe. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Braçe tha kohë më parë se janë vënë re raste të ndërhyrjeve të huaja edhe në disa sektorë të ekonomisë.
“Fill pas luftës në Ukrainë një pjesë e madhe e operatorëve ekonomikë rus me qëllim për t’iu shmangur sanksioneve janë regjistruar në vendet e BE-së dhe prej andej vazhdojnë aktivitetin, ndërkohë që origjinën e aksionerëve e kanë në Rusi. Ky fenomen është vërejtur dhe vendon tonë, qoftë në pronarë përfitues të drejtpërdrejtë apo pronarë përfitues të nënkontraktorëve të operatorëve ekonomikë që operojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për fat të keq kemi moskoordinim mes institucioneve përsa u takon pronarëve përfitues. Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk përputhen me të dhënat që kanë institucionet e tjera përsa i takon pronarëve përfitues”.
Shteti shqiptar në ‘gjumë’
Pavarësisht konstatimeve, shteti shqiptar nuk ka marrë asnjë masë për të prerë këto ndërhyrje. Duket se Shqipëria u është bashkuar formalisht sanksioneve të SHBA-BE kundër Rusisë, pas agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës, pasi sanksionet po mbeten vetëm në letër. Tre vite pas ‘sanksioneve’, institucionet shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të prerë lidhjet financiare në Tiranë të oligarkëve pranë Vladimir Putinit.
/Prapaskena/