Tre 16-vjeçarë janë përfshirë në një aksident të rëndë mbrëmjen e djeshme në Berat, në rrethrrotullimin në dalje të qytetit, në aksin e By-Pass-it.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se të miturit po zhvillonin gara me motorë elektrikë, kur kanë humbur kontrollin e mjeteve dhe janë përplasur me njëri-tjetrin.
Përplasja ka shkaktuar plagosjen e të tre të rinjve. Dy prej tyre kanë marrë dëmtime të rënda në kokë dhe, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërsa 16-vjeçari i tretë po merr trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Beratit. Ai ka pësuar disa fraktura, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.







