Një automjet është djegur në fshatin Halil të Krujës, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët në atentatin e Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani.
Mësohet se persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri nga një makinë Toyota me targa greke ndaj një automjeti tjetër, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, person me precedentë penal dhe krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Pas të shtënave makina është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë Krujës.
Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur vetëm 100 metra larg aeroportit të Rinasit, në një zonë me trafik të lartë dhe shumë të populluar.
Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë ndjekur makinën tip “Benz” rreth 3 kilometra.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato RENEA kanë shkuar në drejtim të Fushë Krujës ku dyshohet ku mund të jenë larguar autorët.








