Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi u dha pas shqyrtimit të kërkesës së Veliajt për ndryshim mase sigurie, të cilën trupa gjykuese vendosi ta rrëzojë, duke mbështetur vendimin e shkallës së parë.
Në seancën e sotme, Gjykata u njoh gjithashtu me informacionin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me ecurinë e hetimeve për këtë çështje. Sipas SPAK, gjatë dy muajve të fundit janë kryer 114 veprime hetimore që lidhen me dosjen penale ndaj kryebashkiakut.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në nëntë raste, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në hetim ndodhet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila aktualisht ndodhet në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, SPAK bën me dije se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë ngritur dhe vënë në funksion një mekanizëm të strukturuar, me qëllim përfitimin e parregullt të fondeve publike që administrohen nga Bashkia e Tiranës. Sipas organit të akuzës, skema ka funksionuar nëpërmjet veprimeve të kamufluara dhe në kundërshtim me ligjin, duke sjellë përfitime financiare për kryebashkiakun dhe rrethin e tij familjar.