Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në hyrje të Terminalit të Autobusëve në Sarandë, ku një automjet ka përplasur një këmbësor.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti me targë AB139YP, që drejtohej nga shtetasi Xhuljano Isufi, ka goditur këmbësorin teksa po hynte në qytet, në afërsi të Terminalit. Mësohet se këmbësori po kalonte rrugën nga njëra anë në tjetrën, në drejtim të Terminalit, kur është përplasur nga automjeti dhe ka përfunduar në tokë.
Pas aksidentit, qytetarët e pranishëm në vendngjarje i kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit, ndërsa pak minuta më vonë kanë mbërritur shërbimet e qarkullimit rrugor dhe ambulanca.
Sipas informacionit të policisë rrugore, këmbësori është identifikuar si Hysen Riad, 31 vjeç, me origjinë egjiptiane.
Ai është transportuar në urgjencën e spitalit të Sarandës, ku po merr ndihmën mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se 31-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.







