Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e kësaj të diele në aksin Fier-Libofshë, në fshatin Agim, ku një autobot që transportonte qumësht është përplasur me një motomjet.
Përplasja ka shkaktuar plagosjen e drejtuesit të motorit, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Nga të dhënat paraprake të policisë, dyshohet se drejtuesi i motomjetit ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Në vendin e aksidentit kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të përplasjes.







