Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka vijuar edhe këtë pasdite në Tiranë, duke shënuar ditën e 162-të të tubimeve të njëpasnjëshme. Studentë, të rinj dhe qytetarë janë mbledhur sërish përpara Kryeministrisë, për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë.
Tubimi ka nisur rreth orës 18:30, një ditë pas protestës kombëtare, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes pjesëmarrësve dhe forcave të policisë.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se nuk do të ndalin reagimin e tyre deri në përmbushjen e kësaj kërkese. Një tjetër qëndrim i artikuluar gjatë tubimit është kundërshtimi ndaj elitës së vjetër politike, ku protestuesit vendosin në të njëjtin plan Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Në qendër të reagimit mbetet edhe refuzimi i studentëve për t’u ulur në dialog me kryeministrin. Ata kundërshtojnë ftesat e përsëritura të Ramës për bisedime, duke argumentuar se nuk mund të zhvillojnë dialog me një drejtues qeverie ndaj të cilit kanë ngritur akuza për korrupsion dhe përdorim të policisë kundër protestuesve.
Edhe pse tubimi i një dite më parë u shoqërua me përplasje dhe tensione, qytetarët janë rikthyer këtë të diel para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar protestën dhe kërkesat për ndryshim politik.







