Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Fierit, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas një sulmi me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Selami Hasani, ndërsa i plagosur ka mbetur vëllai i tij, me inicialet J. H.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së dy vëllezërve, në lagjen “1 Maji”. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, në rrethana që mbeten për t’u sqaruar.
Si pasojë e të shtënave, Selami Hasani ka ndërruar jetë, ndërsa vëllai i tij është transportuar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Pas sulmit, autorët janë larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, në fshatin Dermenas është gjetur një automjet i përfshirë nga flakët, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për kryerjen e atentatit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë, si dhe përcaktimin e motiveve të sulmit.
Kush ishte Selami Hasani?
Selami Hasani, i njohur edhe me pseudonimet “Sel Çami” dhe “Seli i Matit”, mësohet se ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje.
Ai njihet si autor i vrasjes së Julian Isufajt, nipi i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Mes tyre raportohet se kishte pasur një konflikt të hershëm.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet për personat e përfshirë në atentat.







