Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar probleme në disa zona të Qarkut të Kukësit, kryesisht me furnizimin me energji elektrike në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has.
Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:50 të mëngjesit, reshjet janë ndërprerë, pasi gjatë natës kanë qenë me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara me erëra të forta.
Ndërkohë, për shkak të kushteve atmosferike, rrugët nacionale dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave. Grupet e punës dhe subjektet kontraktore po vijojnë ndërhyrjet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore. Aktualisht, të gjitha rrugët nacionale raportohen të kalueshme.
Problematika më e rëndësishme mbetet ndërprerja e energjisë elektrike në disa zona të qarkut.
Në Bashkinë Kukës, pa energji elektrike janë zona industriale dhe disa njësi administrative, përfshirë Malzin, Tërthoren, Kolshin, Surrojin, Topojanin, Shishtavecin dhe Zapodin.
Në Bashkinë Tropojë, ndërprerje të energjisë raportohen në njësinë administrative Margegaj, në qytetin e Fierzës dhe në lagjen Geg Hysen të Bajram Currit.
Probleme me furnizimin me energji ka edhe në Bashkinë Has, konkretisht në njësinë administrative Fajzë, në fshatrat Kishaj dhe Pogaj të njësisë Gjinaj, si dhe në spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës.
Nga ana tjetër, autoritetet bëjnë me dije se nuk janë raportuar problematika të tjera në të tria bashkitë. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Situata në të gjithë qarkun vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa puna për rikthimin e energjisë elektrike dhe mbajtjen e rrugëve funksionale mbetet në fokus.







