Një moment i veçantë është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një prej protestueseve të pranishme ka festuar ditëlindjen mes turmës së qytetarëve.
Protestuesja e moshuar është surprizuar nga pjesëmarrësit e tjerë të tubimit, të cilët janë mbledhur rreth saj për t’i kënduar këngën tradicionale të ditëlindjes. Në duart e njërit prej protestuesve ndodhej edhe torta, mbi të cilën ishte vendosur një mbishkrim simbolik: “Edhe 100 nonës së protestës!”.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe detaji i qirinjve, ku shfaqej numri “20”, duke i dhënë festës një karakter simbolik dhe humoristik mes atmosferës së protestës.
Pas këngës dhe urimeve nga qytetarët e pranishëm, e moshuara ka fryrë qirinjtë e tortës, ndërsa nuk ka lënë pa shprehur edhe dëshirën e saj për situatën politike në vend.
“Inshallah e hedhim”, është shprehur ajo pas fikjes së qirinjve, duke iu referuar kërkesës së protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Momenti është shndërruar në një nga episodet më të veçanta të protestës, ku mes tensioneve dhe thirrjeve politike, protestuesit kanë gjetur rastin për të festuar ditëlindjen e një prej pjesëmarrëseve të tubimit.








