Avokatët e tij kishin kundërshtuar kërkesën e autoriteteve shqiptare, duke kërkuar që klienti i tyre të mos dorëzohej te drejtësia shqiptare, por pretendimet e mbrojtjes nuk janë pranuar nga gjykata braziliane.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka argumentuar se ekzistenca e hetimeve apo e procedimeve penale në Brazil nuk përbën një arsye ligjore për të refuzuar kërkesën për ekstradim.
“Siç përcaktohet në vendimin e deklaratës së embargos, ekzistenca e hetimeve ose procedurave penale në territorin kombëtar nuk përbën justifikim për refuzimin e kërkesës për ekstradim”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Më herët, përfaqësuesit ligjorë të Matës kishin depozituar një kërkesë me shkrim, përmes së cilës synonin të rrëzonin kërkesën zyrtare të autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Megjithatë, gjykata nuk e ka pranuar këtë argument të mbrojtjes.
Ervin Mata u arrestua në Brazil në prill të këtij viti, ndërsa pas ndalimit të tij autoritetet shqiptare nisën procedurat zyrtare për ta sjellë në Shqipëri, ku kërkohet nga drejtësia për një sërë veprash penale që lidhen kryesisht me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Kush është Ervin Mata dhe për çfarë akuzohet?
Ervin Mata është një nga emrat e njohur në dosjet e hetimeve të SPAK për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Prokuroria e Posaçme dyshon se ai ka pasur rol drejtues në një rrjet kriminal të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Sipas hetimeve të SPAK, janë dokumentuar katër episode të trafikut të lëndëve narkotike, ku përfshihen ngarkesa të konsiderueshme kokaine dhe marihuane. Droga dyshohet se transportohej fillimisht nga vende si Brazili dhe Ekuadori drejt porteve evropiane, për t’u shpërndarë më pas në disa shtete të kontinentit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Hetuesit kanë ndjekur gjithashtu gjurmët financiare të aktivitetit të dyshuar kriminal. Sipas prokurorisë, të ardhurat nga trafiku i drogës dyshohet se janë investuar në Shqipëri përmes blerjes së pronave dhe krijimit apo financimit të bizneseve. Në kuadër të hetimeve janë verifikuar edhe pasuritë e personave të afërt me Matën, ndërsa një pjesë e tyre është sekuestruar.
Në të njëjtën çështje penale rezulton i përfshirë edhe Realbi Breçani, nipi i Ervin Matës dhe djali i ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani. Realbi Breçani është arrestuar në Spanjë, në kuadër të hetimeve për aktivitetin e grupit.
Katër episodet e trafikut të drogës të dokumentuara nga SPAK
Sipas dosjes hetimore, autoritetet kanë identifikuar disa operacione të trafikut të narkotikëve, ku Ervin Mata dyshohet të ketë pasur rol organizues ose të jetë përfshirë në aktivitetin kriminal.
446 kilogramë kokainë në Holandë: Sasia u sekuestrua më 5 janar 2021, ndërsa Mata dyshohet nga SPAK si një prej organizatorëve të këtij operacioni.
61 kilogramë kokainë në Brazil: Droga u sekuestrua më 18 shkurt 2021, në një tjetër episod të hetuar nga autoritetet.
166 kilogramë marihuanë në Spanjë: Lënda narkotike dyshohet se ishte nisur drejt Gjermanisë, por u kap nga autoritetet spanjolle.
250 kilogramë kokainë drejt Gjermanisë: Ngarkesa ishte nisur nga Brazili dhe kishte si destinacion aeroportin e Frankfurtit, ku u sekuestrua.
Këto episode janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e nëntë shteteve evropiane, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të narkotikëve.
Përveç akuzave që lidhen me trafikun e drogës, grupi ku dyshohet se bën pjesë Mata është vënë nën hetim edhe për dyshime mbi përfshirjen në porositjen e disa vrasjeve. Këto pista janë ende objekt hetimi nga SPAK.
Emri i Ervin Matës është përmendur gjithashtu edhe në një prej ngjarjeve më të bujshme kriminale të viteve të fundit, të njohur si “Masakra e Bllokut”. Bëhet fjalë për përplasjen e armatosur mes njerëzve të tij dhe personave të lidhur me Ervis Martinin, i njohur në atë kohë në botën e biznesit të lojërave të fatit.
Konflikti mes palëve, sipas raportimeve të kohës, lidhej me një mosmarrëveshje personale që përfshinte këngëtaren Elvana Gjata, e cila në atë periudhë ishte e fejuara e Matës.
Tashmë, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Brazilit për rrëzimin e kërkesës së mbrojtjes, çështja e ekstradimit të Ervin Matës drejt Shqipërisë vijon të mbetet në fokus të autoriteteve të të dy vendeve.







