Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ujësjellës-Kanalizime Kamëz për periudhën 2023–2025 ka nxjerrë në pah një sërë problematikash serioze në administrimin e institucionit, punësimet, tenderat, financat dhe menaxhimin e shërbimit të ujit të pijshëm. Raporti evidenton mungesë transparence në rekrutime, parregullsi në prokurime, borxhe qindra milionëshe, laborator të paakredituar dhe miliona lekë dëm ekonomik.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me mënyrën e punësimit të stafit. Sipas KLSH-së, në 15 raste punonjësit janë rekrutuar në kundërshtim me kriterin e arsimit, ndërsa institucioni nuk ka pasur një procedurë të miratuar për rekrutimin. Edhe faqja zyrtare e shoqërisë, ndonëse ka një hapësirë për vende vakante, nuk është përditësuar me shpalljet përkatëse.
Auditimi ka konstatuar gjithashtu dosje personeli të paplota, mungesë diplomash, dëshmish penaliteti, kontratash individuale pune dhe dokumentacioni të rregullt punësimi. Në shumë raste mungojnë edhe vlerësimet vjetore të performancës së punonjësve.
Borxhe qindra milionëshe dhe probleme serioze me financat
Situata financiare e UK Kamëz paraqitet problematike. Në fund të vitit 2024, detyrimet afatshkurtra të shoqërisë arritën në 1.52 miliardë lekë, ndërsa aktivet afatshkurtra nuk ishin të mjaftueshme për mbulimin e tyre, duke evidentuar mungesë likuiditeti dhe vështirësi në shlyerjen e detyrimeve.
Një tjetër detyrim alarmant është ai ndaj Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, i cili në fund të vitit 2025 arriti në 397.2 milionë lekë, ku mbi 35.7 milionë lekë janë kamatëvonesa.
KLSH evidenton edhe rritjen e borxheve të abonentëve. Në fund të vitit 2024, llogaritë e arkëtueshme nga klientët arritën në 941.4 milionë lekë, ndërsa rreth 556.8 milionë lekë janë detyrime të trashëguara që para vitit 2020.
2.8 milionë lekë dëm ekonomik nga punimet publike
Një tjetër konstatim i rëndë lidhet me zbatimin e kontratave të punëve publike. KLSH ka evidentuar 2,828,720 lekë dëm ekonomik pa TVSH, si pasojë e punimeve të situacionuara, por të konstatuara si të pakryera në volumet e deklaruara.
Dëmi lidhet me pesë kontrata publike, ndër të cilat:
Punimet për linjën e kanalizimeve në Kamëz.
Rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit nga impianti i Bovillës në depon Maloku.
Rehabilitimi i kanalizimeve në rrugën Argjinatura, deri te Azili i Pleqve.
Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në lagjen Zallmner.
Rrjeti shpërndarës i ujit dhe kanalizimeve në zonën e Frutikulturës, Valias i Vjetër.
KLSH kërkon nisjen e procedurave përkatëse për arkëtimin e shumave nga subjektet sipërmarrëse.
Tendera me shkelje: Probleme në 10 nga 17 procedurat e audituara
Në 10 nga 17 procedurat e prokurimit publik të audituara për periudhën 2023–2025 janë konstatuar mangësi në kriteret e kualifikimit. Sipas raportit, kriteret në disa raste nuk kanë qenë në përputhje me natyrën dhe volumin e kontratave, ose kanë munguar argumentimet teknike.
Probleme janë evidentuar edhe në prokurimet me vlerë të vogël. Nga 16 procedurat e kontrolluara:
Në 13 raste janë konstatuar kritere të papërshtatshme ose pa argumentim teknik.
Në 11 raste dokumentacioni i operatorëve fitues ka pasur mangësi.
Në 12 raste dokumentet nuk janë dorëzuar nëpërmjet Protokoll-Arkivës.
Në një rast nuk dokumentohej marrja në dorëzim e mallit apo shërbimit.
Madje, KLSH evidenton edhe një rast skualifikimi të padrejtë të një operatori ekonomik, duke shkaktuar një efekt financiar negativ prej 260,407 lekësh, pasi kontrata iu dha një operatori me ofertë më të lartë.
Punësime dhe largime të parregullta, 3 padi të fituara nga ish-punonjësit
Edhe marrëdhëniet e punës kanë rezultuar problematike. Gjatë periudhës së audituar janë regjistruar gjashtë padi nga ish-punonjësit për ndërprerje të padrejtë të marrëdhënies së punës.
Tre prej tyre janë pranuar nga gjykata dhe janë ankimuar nga institucioni, ndërsa tre të tjera janë ende në pritje të shqyrtimit.
Sipas KLSH-së, në përgjithësi nuk janë respektuar afatet ligjore të njoftimit për largimet nga puna. Vetëm gjatë vitit 2023, shoqëria ka paguar 1,152,899 lekë në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë për largim të parregullt nga puna.
Laborator pa akreditim, depot pa kamera sigurie
Shqetësime serioze janë evidentuar edhe për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Laboratori që kryen analizat e ujit në UK Kamëz nuk është i akredituar sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025, ndërsa analizat e kryera nuk mbulojnë të gjithë parametrat e kërkuar nga legjislacioni.
Gjithashtu, në tetë depot e administruara nga shoqëria mungojnë sistemet e survejimit, ndërsa në tri raste rrethimet nuk përmbushin standardet e sigurisë. Kjo, sipas auditimit, rrit rrezikun e hyrjeve të paautorizuara dhe cenimit të sigurisë së furnizimit me ujë.
Mungojnë gjithashtu planet e dokumentuara për mirëmbajtjen dhe dezinfektimin periodik të depove, si dhe programet e trajnimit për personelin teknik dhe atë të sigurisë.
1.2 milionë lekë paradhënie të pakthyera dhe 2.5 milionë lekë për mallra të patërhequra
Në pasqyrat financiare, KLSH ka konstatuar 1,205,458 lekë paradhënie të pakthyera nga punonjësit, një pjesë e të cilave datojnë që para vitit 2022.
Ndërkohë, një shumë prej 2.5 milionë lekësh për blerjen e blloqeve të betonit figuron e pashlyer në sistemin kontabël, megjithëse malli nuk është tërhequr nga furnitori për rreth katër vite dhe kontrata ka tejkaluar afatin e vlefshmërisë.
KLSH kërkon masa dhe përgjegjësi disiplinore
Raporti nuk ndalet vetëm te evidentimi i shkeljeve. Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon nga administratori, Këshilli i Administrimit dhe strukturat përgjegjëse marrjen e masave për korrigjimin e problematikave, rikuperimin e dëmit ekonomik, përmirësimin e financave, transparencën në punësime dhe forcimin e kontrollit të brendshëm.
Një tjetër rekomandim është funksionalizimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm, e cila rezulton se nuk ka pasur asnjë punonjës dhe nuk ka kryer aktivitet gjatë periudhës së audituar.
KLSH rekomandon gjithashtu vlerësimin e përgjegjësisë individuale të punonjësve të përfshirë në shkeljet e konstatuara dhe nisjen e procedurave për masa disiplinore.
Një raport që ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si është administruar një shoqëri që ka përgjegjësinë për një shërbim jetik për qytetarët e Kamzës: furnizimin me ujë të pijshëm dhe menaxhimin e kanalizimeve./Sky Web







