Një raport përfundimtar i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA arrin në përfundimin se krimet e Jeffrey Epstein pas vitit 2005 mund të ishin parandaluar, nëse hetuesit dhe prokurorët federalë do të kishin vepruar siç duhet.
Raporti, i publikuar të martën nga komiteti i drejtuar nga republikanët, evidenton një sërë dështimesh institucionale në trajtimin e hetimeve ndaj financierit të ndjerë dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell. Sipas gjetjeve, për vite me radhë sistemi i drejtësisë amerikane nuk arriti të hetonte dhe të ndiqte penalisht në mënyrë efektive akuzat ndaj tyre.
Përfundimet e hetimit mbështeten në dëshmi, intervista, dokumente qeveritare dhe të dhëna financiare të mbledhura gjatë një procesi 15-mujor.
Raporti vë në dukje se disa nga gabimet e autoriteteve erdhën si pasojë e vendimmarrjes së dobët të prokurorëve, ndërsa të tjera dyshohet se u ndikuan nga fuqia dhe rrjeti i gjerë i kontakteve që kishte Epstein.
Një prej rasteve më të rëndësishme të evidentuara është marrëveshja e vitit 2007, e arritur nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Jugor të Floridës. Sipas komitetit, kjo marrëveshje i mundësoi Epstein të shmangte ndjekjen penale federale, në vend që akuzat ndaj tij të hetoheshin në mënyrë të plotë.
Hetimi është ndalur edhe te rrethanat e vdekjes së Epstein në një burg të Nju Jorkut në vitin 2019, ku ai po priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual. Raporti i cilëson ato si rezultat të një zinxhiri dështimesh institucionale, përfshirë mungesën e personelit, mbingarkesën e punonjësve, mangësitë në dokumentacion dhe problemet me masat e sigurisë.
Megjithatë, dëshmitë e administruara nga komiteti nuk kanë arritur të hedhin poshtë përfundimisht disa prej teorive që lidhen me vdekjen e financierit, përfshirë paqartësitë rreth një gabimi në pamjet e kamerave të sigurisë.
Një tjetër problem i evidentuar lidhet me mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë administronte dhe publikonte dokumentet e çështjes. Sipas raportit, mungesa e koordinimit dhe redaktimet e papërshtatshme çuan në ekspozimin e të dhënave personale të ndjeshme të disa prej të mbijetuarve.
Më herët gjatë këtij viti, Departamenti i Drejtësisë u detyrua të tërhiqte mijëra dokumente nga faqja e tij zyrtare, pasi viktimat ngritën shqetësime se publikimi i tyre kishte zbuluar identitetin e tyre.
Raporti ngre gjithashtu pretendime ndaj institucioneve financiare, përfshirë American Express, të cilat akuzohen se kanë lehtësuar aktivitetet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mashtrimet me dokumentacionin e imigracionit. Sipas hetimit, Epstein kishte mundur të përdorte fluturime mashtruese dhe itinerare të falsifikuara për të transportuar punëtorë të huaj përtej kufijve.
Në përfundim të hetimit, komiteti i rekomandon Kongresit miratimin e një ligji që do të kufizonte përdorimin abuziv të marrëveshjeve të konfidencialitetit, të cilat, sipas raportit, Epstein i kishte shfrytëzuar për të heshtur personat që kishin përjetuar abuzimet e tij.
Kryetari republikan i komitetit, James Comer, deklaroi se Epstein kishte vepruar për një kohë të gjatë pa u ndëshkuar, falë lidhjeve të fuqishme dhe dështimeve të vazhdueshme të sistemit të drejtësisë.
Ai i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të marrë në pyetje ose të riintervistojë dëshmitarët kryesorë, të hetojë personat e dyshuar për përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein dhe t’u garantojë të mbijetuarve qasje në dokumentacionin e tyre.
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe përmendjes së Presidentit amerikan Donald Trump në dokumentet e çështjes Epstein. Komiteti akuzon demokratët se janë përqendruar në përpjekjet për të lidhur Trumpin me financierin, duke i cilësuar këto pretendime si një përpjekje të pabazuar politike.
Trump ka deklaruar më herët se kishte pasur marrëdhënie miqësore me Epstein, por se ata ishin prishur në vitin 2004. Emri i presidentit shfaqet mijëra herë në dokumentet e publikuara, por vetë përmendja në këto dosje nuk përbën provë për ndonjë shkelje. Raporti i komitetit thotë se shqyrtimi i dokumenteve nuk identifikoi materiale që do ta implikonin atë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi demokrat Robert Garcia, anëtari më i lartë i partisë në komitet, kritikoi raportin, duke e cilësuar hetimin të paplotë dhe duke theksuar se nuk ishte organizuar asnjë seancë dëgjimore publike për çështjen Epstein.
Garcia akuzoi gjithashtu Departamentin e Drejtësisë se po mban të fshehura më shumë se 2.5 milionë faqe dokumente që lidhen me këtë çështje.
Ai paralajmëroi se demokratët nuk do të lejojnë që presidenti dhe aleatët e tij t’i shmangen hetimit.







