Me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, një aktivitet ndërkombëtar që mbledh liderë dhe përfaqësues të institucioneve për të diskutuar mbi sfidat globale dhe bashkëpunimin mes shteteve.
Edicioni i këtij viti do të fokusohet te roli i qeverisjes efektive në ndërtimin e paqes afatgjatë, garantimin e stabilitetit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, në një kohë kur bota përballet me ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, përparime teknologjike dhe sfida mjedisore.
Gjatë forumit, Rama do të marrë pjesë në një sesion të veçantë të formatit “Spotlight”, ku do të trajtojë perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe rëndësinë që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian ka për të ardhmen e brezave të rinj.
Kryeministri shqiptar do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), ku në fokus do të jenë çështje të ndryshme që lidhen me forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.







