Policia e Tiranës ka zbardhur dy grabitje me armë zjarri të kryera në filiale bankare në kryeqytet, duke arrestuar një 50-vjeçar të dyshuar si autor të ngjarjeve.
Gjatë operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, në pranga ka rënë shtetasi Robert Duka., 50 vjeç, i dyshuar për dy vjedhje nën kërcënimin e armës, të ndodhura më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjeve dhe dy telefona celularë.
I pyetur mbi veprimtarinë kriminale të 50-vjeçarit, Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Turba tha se personi dyshohet se ka vepruar edhe në një shtet fqinj.
Deklarata
Sot jemi këtu për t’ju informuar mbi rezultatet e punës hetimore të Policisë së Tiranës, për zbardhjen e dy vjedhjeve me armë në dy filiale bankare, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
Pavarësisht angazhimit intensiv të strukturave të Policisë gjatë protestave, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale ka vijuar pa ndërprerje.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.
Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
– 8 200 euro,
– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
– 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.







