Shqetësimet për cilësinë e ujit të pijshëm po raportohen në dy qytete të vendit, Vlorë dhe Lushnjë. Në Vlorë, analizat e kryera në dy zona kanë evidentuar mungesë klori dhe prani të amoniakut, ndërsa testime të tjera kanë zbuluar edhe ndotje fekale.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të qytetit raportohet për shtim të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore me simptoma si të vjella dhe diarre, megjithëse ende nuk është konfirmuar një lidhje mes këtyre rasteve dhe konsumit të ujit.
Pas publikimit të rezultateve të analizave, institucionet përgjegjëse kanë nisur verifikimet në terren, por ende nuk është përcaktuar burimi dhe përhapja e ndotjes.
Një tjetër rast shqetësues raportohet nga Lushnja, ku banorët e lagjes “Xhevdet Nepravishta” po përballen me ujë të ndotur.
Pamjet e publikuara nga deputeti Saimir Korreshi tregojnë ujin me ngjyrë të errët që del nga rubinetat e banesave. Sipas tij, uji shoqërohet edhe me një erë të rëndë, ndërsa banorët vijojnë të paguajnë për një shërbim që duhet të garantojë ujë të pijshëm.
Dy rastet rikthejnë në vëmendje problematikën e sigurisë së ujit që furnizon qytetarët, ndërsa mbetet për t’u sqaruar se çfarë masash do të marrin institucionet përgjegjëse për të garantuar cilësinë e tij.







