Klevi Metaj, student në Universitetin e Tiranës, është kthyer në një nga emrat më të komentuar pas protestës studentore të së martës, ku përplasjet me policinë u shoqëruan me skena dhune.
Pamjet e tij në përballje me efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku i riu po shihet si simbol i protestës dhe i përplasjes me forcën e uniformave blu.
Metaj është djali i Brikena Metajt, korrespondentes së News24 në Gjirokastër. Në videot e publikuara nga protesta, ai shfaqet duke ecur në trotuar, kur një efektiv policie e godet. Momente më pas, studenti shihet në një përplasje fizike me disa efektivë të FNSH-së, të cilët mbajnë shkopinj gome.








