Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, ka mbërritur në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare, ku një nga çështjet kryesore të agjendës është forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Në fokus të bisedimeve është një marrëveshje ndërqeveritare që synon të nxisë bashkëpunimin mes institucioneve të të dyja vendeve dhe të krijojë më shumë mundësi për përfshirjen e kompanive izraelite në projekte të ndryshme në Shqipëri.
Marrëveshja përfshin disa fusha me rëndësi strategjike, mes tyre sigurinë kibernetike, teknologjinë, energjinë, menaxhimin e burimeve ujore, shëndetësinë dhe bujqësinë. Përmes këtij bashkëpunimi synohet të lehtësohen kontaktet e drejtpërdrejta mes institucioneve publike dhe bizneseve, duke nxitur investimet dhe shkëmbimin e ekspertizës.
Gjatë vizitës së tij, Sa’ar pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Nisma, e njohur si marrëveshja G2G (Government-to-Government), synon t’i japë një shtysë të re bashkëpunimit dypalësh, duke krijuar një kuadër më të strukturuar për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe zgjerimin e partneritetit ekonomik mes Shqipërisë dhe Izraelit.








