Detaje të reja dalin nga hetimet për vdekjen e shqiptarit Mikel Rroku në Torino, ku në pranga kanë përfunduar bashkëshortja e tij 45-vjeçare dhe partneri i saj i ri, 52 vjeç.
Dy shtetasit italianë dyshohen për përfshirje në vdekjen e 55-vjeçarit, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Rroku u gjet i pajetë më 6 korrik në banesën e tij në rrugën “Verolegno”, në zonën Lucento të Torinos. Trupi i tij u gjet pas disa ditësh, në gjendje të avancuar dekompozimi, ndërsa në kokë kishte dëmtime të rënda.
Ishin fqinjët ata që sinjalizuan autoritetet, pasi kishin konstatuar një erë të rëndë që vinte nga apartamenti. Pas ndërhyrjes, hetuesit nisën ekzaminimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.
Dëmtimet e konstatuara në kokën e 55-vjeçarit ngritën dyshimet se bëhej fjalë për një vdekje të dhunshme. Në vijim, hetimi u përqendrua te bashkëshortja e Rrokut dhe 52-vjeçari, me të cilin ajo dyshohet se kishte një lidhje.








