Rreziku i përhapjes së salmonelës në Shqipëri dhe mënyrat për ta parandaluar infeksionin kanë qenë në fokus të diskutimit të mjekut Erion Dasho në emisionin “News24 Fundjavë”.
Dasho u ndal te higjiena në gastronomi, duke e cilësuar atë si një nga masat kryesore për të frenuar transmetimin e bakterit. Sipas tij, punonjësit e këtij sektori duhet të trajnohen në mënyrë të detyrueshme për respektimin e rregullave bazë të higjienës, veçanërisht për larjen e duarve.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kontrollit të ushqimeve që përfundojnë në tryezë. Në veçanti, mishi i shpendëve, sidomos pula, dhe vezët konsiderohen ndër produktet që paraqesin rrezik më të lartë nëse nuk përpunohen termikisht siç duhet.
Sipas mjekut, gatimi i plotë i këtyre produkteve është i domosdoshëm për të shmangur praninë e bakterit. Dasho përmendi edhe ndryshimet në praktikat e disa restoranteve, ku përdorimi i vezëve të pagatuara është shmangur në receta për të ulur rrezikun e infeksioneve.
Një tjetër burim potencial kontaminimi, sipas ekspertit, janë frutat dhe perimet, veçanërisht ato që konsumohen të gjalla. Këto produkte mund të ndoten gjatë procesit të kultivimit, përfshirë edhe nga përdorimi i plehrave organike.
Për këtë arsye, Dasho vuri theksin te larja dhe pastrimi i kujdesshëm i tyre përpara konsumimit, si një masë e thjeshtë, por e rëndësishme për reduktimin e rrezikut të infektimit.








