Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar probleme në Bashkinë e Pukës, duke vështirësuar ndjeshëm situatën në disa zona të territorit.
Prej disa orësh, zona po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa kushtet e pafavorshme atmosferike kanë sjellë edhe dëmtime në rrugë. Rrëzimi i pemëve, rrëshqitjet e gurëve dhe masave të dheut kanë penguar qarkullimin në disa akse rrugore.
Përballë kësaj situate, autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Ndërkohë, ekipet përkatëse janë angazhuar në terren për largimin e pengesave nga rrugët, normalizimin e qarkullimit dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.







