Pas rreth 14 orësh diskutimesh në Kuvend, mazhoranca socialiste ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027. Projektligji mori mbështetjen e shumicës socialiste, së cilës iu bashkuan edhe votat e deputetëve të Tom Doshit, duke siguruar 9 vota më shumë se numri i nevojshëm.
Kundër projektbuxhetit votuan 24 deputetë të opozitës. Në votim nuk ishte e pranishme ish-kryetarja socialiste e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila kishte marrë pjesë në seancën plenare gjatë pasdites së një dite më parë.
Gjatë së njëjtës seancë u miratua edhe projektligji për strehimin social, me 79 vota pro, 25 kundër dhe një abstenim, ky i fundit nga deputetja demokrate Greta Bardeli.
Përpara votimit, seanca u ndërpre për disa sekonda pasi në sallën plenare u ndërpre energjia elektrike. Incidenti u shfrytëzua nga deputetët e opozitës, të cilët nisën të thërrisnin në kor në mbështetje të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e mazhorancës mbrojtën projektbuxhetin prej 10 miliardë eurosh, duke argumentuar se ai synon të lehtësojë koston e jetesës dhe të përmirësojë kushtet ekonomike për qytetarët.
Pas miratimit në parim, projektbuxheti do t’i rikthehet komisioneve parlamentare, ku do të shqyrtohet nen për nen përpara vijimit të procedurave të miratimit.







