Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar për vrasje është arrestuar në Itali dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Policia e Shtetit njofton se në pranga është vënë shtetasi Vangjel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër.
Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e kishte dënuar në vitin 2020 me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Sipas Policisë së Shtetit, nga dënimi i dhënë, 28-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite burg.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se ngjarja për të cilën Balla është dënuar ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.







