Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e biznesmenit Embro Sulejmani, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK, nën dyshimin se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ky i fundit ishte person në kërkim.
Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, ka mohuar përpara GJKKO-së të ketë kryer ndonjë vepër penale, duke deklaruar se nuk e kupton se për çfarë krimi akuzohet.
Gjatë seancës, ai ka shpjeguar se e njeh Ergys Agasin pasi të dy janë nga Durrësi. Sipas dëshmisë së tij, ndihma që i ka dhënë Agasit ka qenë vetëm në formën e ushqimit.
“Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani para gjykatës.
Sipas akuzës së SPAK, Sulejmani dyshohet se ka ndihmuar Agasin për të fshirë gjurmët e takimeve të tij në ambientet e lokalit, gjatë periudhës kur ai ishte në arrati. Në kuadër të hetimit dyshohet se janë fshirë edhe pamje që dokumentonin takimet e Agasit me zyrtarë të lartë.
Në të njëjtin procedim është arrestuar edhe oficeri i Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi. Gjatë dëshmisë së tij, Kalluçi ka deklaruar se nuk mban mend të ketë dërguar akte sekrete, siç dyshohet nga SPAK.
Në përfundim të seancës, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy, ndërsa hetimet për rolin e tyre dhe lidhjet e dyshuara me Ergys Agasin vijojnë.








