GJKKO ka nisur vendosjen e gjobave ndaj avokatëve që po i qëndrojnë bojkotit të shpallur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Në seancën gjyqësore për dosjen e vrasjeve të Vajdin Lamës dhe Klodian Saliut, ku të pandehur janë edhe Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi dhe persona të tjerë, pritej që SPAK të paraqiste pretencën.
Seanca është përballur me një situatë të pazakontë, pasi avokatët mbrojtës kanë refuzuar të ulen në vendet e tyre në sallën e gjyqit. Ata kanë qëndruar në pjesën e destinuar për publikun, duke zbatuar kështu vendimin e Dhomës së Avokatisë për bojkot të proceseve gjyqësore pa një afat të përcaktuar.
Përplasja mes avokatëve dhe GJKKO-së lidhet me rregulloren e re të kësaj gjykate. Dhoma Kombëtare e Avokatisë e kundërshton atë, duke pretenduar se dispozitat e reja cenojnë ushtrimin e profesionit dhe bien ndesh me Kushtetutën.
Qëndrimi i avokatëve jashtë hapësirës së përcaktuar për mbrojtjen ka sjellë edhe reagimin e trupit gjykues. Gjyqtarja Flora Hajredinaj ka vendosur masa administrative ndaj më shumë se 10 avokatëve, si atyre të zgjedhur nga të pandehurit, ashtu edhe mbrojtësve të caktuar kryesisht.
Secili prej avokatëve është ndëshkuar me nga 50 mijë lekë gjobë.








