1143 hektarë tokë dhe 150 mijë euro janë sekuestruar nga autoritetet në Fier, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka caktuar masën “Arrest në burg” për katër persona. Mes tyre janë dy ish-drejtues të ASHK-së Fier, një specialist jurist i këtij institucioni dhe personi që dyshohet se ka përfituar pasuritë.
1143 hektarë tokë në fokus të hetimit
Sipas Prokurorisë, hetimi për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025 ka zbuluar një skemë të dyshuar për përfitimin dhe regjistrimin e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, në Seman i Ri dhe Sheq Marinas.
Në qendër të hetimit është K.H., i cili dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier si dokumente pronësie.
Mbi bazën e tyre, ai ka arritur të regjistrojë rreth 1143 hektarë tokë në bashkëpronësi me katër persona të tjerë.
Toka më pas u shit
Pas regjistrimit të pasurive, K.H. dyshohet se është paraqitur si bashkëpronar dhe përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë.
Prokuroria thotë se përmes një prokure të posaçme, e cila dyshohet se ishte e falsifikuar, ai ka shitur më pas sipërfaqet e tokës te dy shoqëri të ndryshme.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar mbi 76 pasuri, me një sipërfaqe totale prej rreth 1143 hektarësh, si dhe 150 mijë euro.
Në pranga edhe dy ish-drejtorë të ASHK-së
Hetimi ka vënë nën akuzë edhe ish-drejtuesit e ASHK-së Fier, E.Sh. dhe B.K., si dhe specialistin dhe juristin P.Ç.
Sipas organit të akuzës, tre zyrtarët dyshohet se kanë regjistruar pasuritë në bashkëpronësi të K.H., në kundërshtim me legjislacionin për kadastrën dhe rregullat që lidhen me përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Prokuroria pretendon se gjatë procedurës nuk është kërkuar konfirmimi i vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga Agjencia e Trajtimit të Pronës. Sipas saj, një verifikim i tillë do të kishte evidentuar se dokumentet e përdorura për regjistrimin e pasurive ishin të falsifikuara.
Dyshime edhe për ndryshimin e sipërfaqes dhe zërit kadastral
Nga hetimet rezulton gjithashtu se B.K., gjatë regjistrimit të një prej pasurive, dyshohet se ka tejkaluar sipërfaqen e përcaktuar në vendimin e falsifikuar të vitit 1997, duke bërë të mundur përfitimin e një tjetër sipërfaqeje toke.
Ndërkohë, E.Sh. dhe P.Ç. dyshohet se kanë ndryshuar edhe zërin kadastral të tokës së regjistruar, nga “tokë arë” në “tokë pa frut”, pa një akt administrativ nga institucionet përgjegjëse.
Katër të arrestuarit përballë akuzave
Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për E.Sh., B.K., P.Ç. dhe K.H. për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Ekzekutimi i masave të sigurisë është kryer nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Fierit, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Tiranës dhe Vlorës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.







