Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në Manëz të Durrësit, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, drejtuesi i automjetit, një 25-vjeçar, ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili më pas është përplasur me një bordurë betoni.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, 25 vjeç, një 26-vjeçare dhe një 15-vjeçar, të cilët ndodheshin në automjet.
Dy pasagjerë të tjerë, një 25-vjeçar dhe një 16-vjeçar, kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari raportohet në gjendje të rëndë shëndetësore.







