Një banor i pallatit 5-katësh në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm tregon se u detyrua të hidhej nga kati i dytë për të shpëtuar.
Artur Sanço, banor i katit të dytë të pallatit në lagjen “Beqir Dardha”, tregon se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa dera e ballkonit i ra në kokë, ndërsa ai nuk mund të ndihmonte djalin e tij të vogël, i cili e thërriste për ndihmë.
“Si t’ia bëj tani, ku të rri? Unë isha në katin e dytë, më ra dera e ballkonit në kokë. Djali i vogël më thërriste: ‘O babi!’ Më thërriste djali dhe unë nuk e ndihmoja dot. U hodha nga kati i dytë. Nuk e di si ka ndodhur. Në atë moment kam dalë në ballkon, kam bërtitur. Tani isha në spital për mjekim. Kujt t’i bie në qafë sot? Nuk e di si ka ndodhur, shpërthimi ka qenë shumë i fortë”, rrëfen ai.
Banori tregon se si pasojë e shpërthimit, soleta e katit të tretë ka rënë mbi dhomën e gjumit të apartamentit të tij, duke bllokuar derën dhe duke e bërë të pamundur daljen për të shpëtuar të birin.
Sa i përket personit që rezulton i zhdukur, Sanço thotë se bëhet fjalë për fqinjin e tij në katin e tretë, ndërsa nuk përjashton mundësinë që ai të ketë mbetur i bllokuar edhe në apartamentin e tij, pasi soleta e katit të tretë ka rënë mbi katin e dytë.








