Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat pritet të shqyrtohen dhe të votohen në Kuvend. Sipas BE-së, këto ndryshime mund të bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe të cenojnë parimet e sundimit të ligjit.
Në reagimin e tij, Unioni thekson se propozimet ngrenë pikëpyetje serioze për pavarësinë e sistemit gjyqësor, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, garantimin e të drejtave procedurale dhe përgjegjshmërinë institucionale.
Gjithashtu, BE shpreh shqetësim edhe për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara, duke kërkuar që ato të shqyrtohen me kujdes përpara se të kalojnë në Kuvend.
Bashkimi Evropian rikujton se ka qenë në kontakt me autoritetet e Kosovës që prej momentit kur ligji është kthyer në Kuvend për rishqyrtim. Sipas tij, gjatë këtyre komunikimeve u është bërë e qartë institucioneve kosovare nevoja për konsultime paraprake përpara çdo vendimi për miratimin e ndryshimeve.
BE nënvizon se konsultimet janë të domosdoshme për të garantuar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe për të shmangur cenimin e funksionimit të institucioneve të drejtësisë.
Reagimi i Bashkimit Evropian vjen në prag të votimit të mundshëm të premten në Kuvendin e Kosovës. Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kanë shkaktuar debate dhe kundërshtime, veçanërisht për ndikimin që mund të kenë në funksionimin e Gjykatës Speciale dhe proceset që zhvillohen pranë saj.







