Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas saj, u trajtua publikisht zhvillimi politik i shqiptarëve në Serbi, duke argumentuar se vëmendja e opinionit u zhvendos te filmimet intime, ndërsa një zhvillim i rëndësishëm politik kaloi thuajse në heshtje.
Koçeku vë në dukje bashkimin e tetë subjekteve politike shqiptare në Serbi në një listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Sipas saj, ky bashkim vjen në një periudhë protestash disa mujore kundër regjimit të Aleksandër Vuçiç dhe përbën një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi.
Ajo kritikon edhe qeverinë shqiptare, duke pretenduar se Tirana nuk ka reaguar apo ofruar mbështetje për këtë zhvillim, ndërsa thekson se çështja e shqiptarëve në Serbi, sipas saj, trajtohet rrallë në diplomacinë shqiptare.
Në reagimin e saj, Koçeku sjell në vëmendje edhe mbështetjen financiare që, sipas saj, qeveria e Kosovës u jep shqiptarëve në Serbi, duke e vendosur këtë në kontrast me qëndrimin e Tiranës.
Në thelb, deputetja ngre pyetjen se pse një zhvillim politik që prek drejtpërdrejt shqiptarët në Serbi nuk mori vëmendjen e duhur, ndërsa hapësira publike u dominua nga videot intime dhe materiale të tjera që ajo i konsideron “lajme boshe”.
“Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm. Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.
Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.
Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.
Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?”







