Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë, pasi akuzohen për trafikim të armëve të zjarrit nga Mali i Zi drejt Shqipërisë. Në pranga kanë rënë shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Automjeti tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 22-vjeçari dhe ku udhëtonte si pasagjer 31-vjeçari, u ndalua për kontroll në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi 6 armë zjarri pistoleta të markës “SigSauer”, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen në Tiranë.
Gjithashtu, u sekuestruan automjeti me të cilin lëviznin të dy të arrestuarit dhe 4 telefona celularë.
“Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.
Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.
Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S.”, njofton policia.








