Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, teksa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë shtrirë në disa prej rrugëve të Tiranës.
Gjatë gjithë ditës, protesta është shoqëruar me incidente, sulme ndaj institucioneve publike e private, si dhe dëmtime të bizneseve. Sipas raportimeve, disa prej tyre janë djegur dhe plaçkitur, duke përshkallëzuar më tej situatën në terren.
Përplasjet kanë vijuar edhe me sulme ndaj efektivëve të policisë, të cilët janë goditur me gurë dhe sende të forta nga protestuesit. Në përgjigje të situatës, uniformat blu kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të vënë nën kontroll tensionet.
Ndërkohë, me rënien e mbrëmjes, policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve. Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet në terren vijojnë të ndiqen nga afër.







