Emisioni “Vetting”
Të gjitha qytetërimet, si një nga nxitësit kryesorë kanë patur lakminë për më shumë troje, pasuri dhe pushtet. Sipas filozofit gjerman Frederik Engels që nga antikiteti e deri më sot, forca lëvizëse e çdo qytetërimi ka qenë lakmia e pastër, pasuri, përsëri pasuri edhe përsëri pasuri, pasuri jo e shoqërisë, por e individit të vetëm të “sëmurë”. Ky ishte qëllimi i tij i vetëm dhe përfundimtar.
Një nga institucionet që ka portofolin më të madh të investimeve publike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka qenë nën akuzë se këto fonde janë tenderuar para kohe për para fushatave zgjedhore.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting” rezulton se fondet publike nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë tenderuar pa një plan të qartë për investim, por janë prokuruar vetëm për ti dërguar fondet drejt kompanive pranë qeverisë, për kompanitë e lidhura me njerëzit e lidhur me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit në shkelje të ligjit. Madje Drejtori i Përgjthshëm dhe personat e lidhur fshehin pasuritë duke treguar një tablo të errët të zyrtarëve të lartë, që janë pasuruar në dëm të shqiptarëve.

Ky institucion që ka statusin e një organizatë jofitimprurëse është themeluar në vitin 1993 me mbështetjen e Bankës Botërore dhe qellimi i tij ka qenë lehtësimi i varfërisë, veçanërisht në zonat rurale të vendit. Në shumë raste, banorë të këtyre zonave janë prekur nga projektet, të cilat nuk kanë patur një planifikim efikas.

Në vitin 2009, Fondi u riorganizua dhe Kuvendi miratoi një ligj të ri për funksionimin e tij. Misioni i ri synonte zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik dhe zgjerimin e institucionit në rang kombëtar. Qeveritë u ndërruan, institucionet publike ranë dhe të tjera u krijuan, por kjo organizatë u bë akoma më e fuqishme duke thithur grante dhe kredi në emër të qeverisë shqiptare.
Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, Fondi Shqiptar ka realizuar disa investime infrastrukturore, por kostoja ka qenë shumë e lartë dhe impakti nuk ka qenë domethënës.
TENDERA PËR “MIQTË” E QEVERISË
Në maj 2023, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm Dritan Agolli do të shpallte fituesi kompaninë “Salillari” shpk me ofertë 374 milionë lekë ose 3.7 milionë euro për projektin “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua te luaj” (rajoni 3 dhe 4) që përfshinte qytetet Berat -Vlorë-Korçë-Gjirokastër Marrëveshje Kuadër.
Sipas “Openprocurement.al”, një shërbim i Open Data Albania ky tender është shënuar me flamur të kuq pasi kemi mungesë konkurrence. Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumenti në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste.
Ky projekt ka dritëhije, të cilat lidhen me afatet e punimeve dhe mundësinë e devijimit të qëllimit të tenderit.
Në Berat te “Stadiumi i Vjetër”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka krijuar një kënd sportiv për lojëra të ndryshme për fëmijët.
Teksa në Berat zona e braktisur është rivitalizuar nga e zërat e fëmijëve, në qytetet e tjera ku shtrihet ky projekt nuk kemi asgjë që të lidhet me lojërat apo aktivitetet për fëmijët.
Konkretisht në Korçë dhe në Vlorë, ky investim merret me rregullimin e pistave të vjetra të aviacionit dhe është e habitshme se si rregullimi i pistës lidhet me aktivitetin e lojërave për fëmijë. Në dokumentet e siguruara nga “Vetting” nuk rezulton asnjë projekt apo objekt argëtimi për fëmijët që të lidhet me tenderin. Në Korçë janë ndërtuar vetëm dy godina për pistën e aviacionit ndërsa në Vlorë sapo kanë filluar punime, të cilat janë ndërprerë. Madje tenderi në Vlorë është me afat 8 muaj dhe punimet kanë filluar në shkurt 2025.
Pra, praktikisht në tender dhe në faqen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kemi imazhe me fëmijët, por në realitet kemi disa zhvillime, që lidhen me pistat e aviacionit. Ajo që e bën më interesante këtë kontratë është fakti se kjo procedurë ka qenë e kufizuar. Në këtë rast, marrin pjesë disa kompani në fazën e parë, të cilat përzgjidhen nga FSHZH-ja për të bërë ofertë në fazën e dytë. Për këtë procedurë miratohet një urdhër prokurimi nga drejtuesi i institucionit, që duhet të shpjegojë arsyet se pse është bërë ky tender i kufizuar, ndërkohë që shumë mirë punimet për lodrat për fëmijët mund ti realizonin me dhjetra kompani.
Madje të njëjtët persona që kanë bërë projektin, rezultojnë ata që do të mbikqyrnin punimet për tenderin si inxhinierët Krenar Dila dhe Erjon Këri. Të dy këta inxhinier rezultojnë anëtarë të këshillit te kompania “Sol Energy”, e cila është në pronësi të “4 KPPF” e Fatrit Petku, që ka fituar tenderin për mbikëqyrjen e projektit. Ndërkohë që të dy personat janë pjesë e grupit të inxhinierëve dhe njëkohësisht aksioner të kompanisë “ARKONSTUDIO” e cila ka bërë projektin. Ky fakt ngre pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi dhe cënueshmëri të mbikëqyrjes së punimeve pasi edhe nga ajo që kemi zbuluar, kompania nuk ka mbaruar punimet.
Por tenderi për mbikëqyrjen është dhënë në shkelje të procedurave të prokurimit publik nga Dritan Agolli pasi kompania nuk plotëson kriterin e xhiros vjetore, që duhet të jetë minimalisht sa dyfishi i fondit limit, pra 27 milionë lekë.
Kompania në këtë rast duhej të ishte skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe duhet të ishte shpallur fituese kompania që ishte e renditur në vend të dytë.
Por ky nuk është i vetmi rast pasi Avdi Kasaj, një nga banorët e zonës së Seferanit në Belsh është përplasur me institucionet për shkak të investimeve dhe pretendon se i është dëmtuar prona dhe pemët që gjenden në të pa u dëmshpërblyer.
“Ja kjo është puna ime si invalid pune, ndërsa sot u bëra gjysmë robi, s’më punon më veshka. Nga gjithë kjo puna e rëndë, duke pastruar gurët dhe ferrat”, tha për “Vetting” Avdi Kasaj.
Në dhjetor 2020 bashkimi i kompanive “Vëllezërit Hysa” shpk dhe “Franko Construction” shpk do të lidhnin kontratën me vlerë 283 milionë lekë me TVSH me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zhvillimin e atraksioneve turistike duke u mbështetur mbi potencialet lokale. Kontrata ndahet në preventive, të cilat përfshijnë zonat turistike të bashkisë Belsh, bashkisë Dimal, rrugën Rrajcë-Sulaj dhe fshatin e Bogovës në Bashkinë Skrapar. Sipas FSHZH-së, projekti do të kishte vonesa me punimet për shkak të përplasjeve me banorët e zonës së Marinzës në Belsh.
Nga kontrata e siguruar nga “Vetting”, edhe në qytetin e Dimalit ky projekt nuk është realizuar 100%. Bie në sy fakti që projektuesit e tenderit, në këtë zonë kanë vendosur se duhet të mbillen pemë të ndryshme me vlerë 1500 euro, të cilat nuk gjenden asgjëkundi në këndin e lojërave për fëmijët. Në korrespondencën e fundit me “Vetting”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit deklaroi se procedura ishte në auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas kryetarit të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, në Shqipëri ka mbi 6 mijë kompani ndërtimi, por ndërkohë 5 apo 10 prej tyre janë ato që fitojnë shumicën e tenderave publikë te FSHZH-ja.
“Në sektorin në fjalë mjafton t’u referohesh të dhënave dhe rezulton qartë që paratë publike shkojnë në pak duar. Ky është një alarm i kuq i madh, që duhet të na bëjë të na mendojë që paratë publike shkojnë në drejtimin e gabuar” – tha për “Vetting” Adriatik Lapaj.
Skandali me tenderin menuja e 100 fshatrave që Dritan Agolli i dha ‘ortakut’ të djalit të tij
Në nëntor 2021, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të mbyllte garën për tenderin: “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar “Menunë e 100 Fshatrave“ me fond limit 41 milionë lekë. Në fillim të vitit 2022, fitues do të shpallej bashkimi i kompanive “Mascarpone sh.p.k & Endrit Maci” me vlerë 41 milionë lekë ose 410 mijë euro.
Menjëherë pas shpalljes së fituesit, në media do të shpërthente skandali pasi aksioneri i kompanisë “Mascarpone“ ishte njeri i lidhur me djalin e drejtorit Dritan Agolli. Alfio Rrotani, administrator dhe ortak kryesor i kompanisë që është shpallur fituese e tenderit, ka punuar si shef kuzhine për restorantin “Bedouin Beach & Bar”, objekt që gjendet në zonën e Hamallajt, në Gjirin e Lalzit, në pronësi të Flladi Agollit, djalit të drejtorit të FSHZH-së. Lajmi se kuzhinieri i djalit të Dritan Agollit kishte fituar tenderin do të sillte edhe fillimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme ndaj kreut të FSHZH-së për akuzat shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
Menjëherë pasi skandali shpërtheu në media, Drejtori i Fondit Agolli do të reagonte publikisht me anë të një deklarate të publikuar në media.
“Lidhur me çështjen e konfliktit të interesit tashmë që kam ardhur në dijeni nga mediat që kanë filluar hetimet për këtë çështje nga organet kompetente sqaroj se në këtë pikë tashmë janë keto organe që do të shqyrtojnë dhe vlerësojnë këtë çështje dhe nuk ka më vend për sqarime mediatike. Në përfundim i shoh në sy me kurajo të gjithë ata që shpifën dhe që i përcollën ato dhe ju them se shpifjet e tyre vetëm më shtojnë bindjen dhe më japin forcë për të ecur përpara në rrugën për zhvillimin e vendit tonë”, do të shkruante Agolli në deklaratën për mediat.
Nëse analizojmë me vëmendje deklaratën e drejtuesit të FSHZH-së, do të kuptojmë se Dritan Agolli nuk ka bërë asnjë sqarim, nëse ai është ose jo në konflikt interesi me detyrën.
Por, përtej faktit që kemi ose nuk kemi konflikt interesi, ajo që ka ngritur dyshimet për favorizim nga Dritan Agolli lidhet me skualifikimin e kompanisë konkurruese dhe plotësimin e kritereve.
Nga gara për tenderin është skualifikuar bashkimi i kompanive “Kube Studios Shpk & Albanian Gastronomy Academy AGA & CBS Creative Business Solutions” me ofertë më të ulët se fituesi, e cila është më fitimprurëse për financat publike.
Fillimisht ky bashkim operatorësh do të bënte ankesë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për skualifikimin, por duke parë sorollatjet nga institucioni, në fillim të shkurtit 2022 do të bënte ankesë njëkohësisht te FSHZH-ja, por edhe te Komisioni i Prokurimit Publik. Sipas ankuesve, vlerësimi nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ishte objektiv dhe në përputhje me ligjin.
Konkurrenca pretendon se FSHZH-ja nuk ka bërë vlerësimin si duhet dhe nga hulumtimi i dokumenteve, Komisioni i Prokurimit Publik është shprehur se kriteret e vlerësimit janë hartuar në shkelje të ligjit për Prokurimin Publik. Komisioni do të shtonte më tej se edhe fakti që nuk është përcaktuar saktësisht mënyra se si do të bëhet vlerësimi i ofertave e bën të pamundur realizimin e një procedure prokurime efektive.
Në fund të shkurtit 2022, Komisioni i Prokurimit Publik do t’i jepte të drejtë kompanisë së skualifikuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke e urdhëruar këtë të fundit të anulojë tenderin.
Hetimi i SPAK
Shpërthimi i skandalit në media do të sillte vëmendjen te profili i Dritan Agollit dhe personave të lidhur me të. Agolli ka punuar më parë si drejtor urbanistike në Bashkinë e Tiranës dhe më pas është shkëputur nga administrata publike duke u angazhuar në fushën e biznesit.
Duhet theksuar se gjatë kohës që ka qenë në Bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli vazhdimisht ka qenë nën akuzë nga Partia Demokratike, e cila gjatë kohës që ka qeverisur e ka kallëzuar në Prokurori. Por për Agollin nuk ka patur asnjë akuzë nga Prokuroria dhe gjithmonë ka dalë i pastër, deri në momentin që SPAK do ta vendoste nën lupë për hetimin e pasurisë dhe skandalin e “menusë për 100 fshatrat”.
Dritan Agollit në krye të FSHZH-së dhe fshehja e pasurisë?
Në shkurt 2019, Dritan Agolli do të emërohej Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit nga Këshilli Drejtues me mandat 5-vjecar, duke zëvendësuar Benet Becin. Në janar 2024 Këshilli Drejtues do ta rikonfirmonte në detyrë për një mandat të dytë.
Ashtu si shumë zyrtarë të tjerë të lartë, Dritan Agolli do të bënte deklarimin e pasurisë, e cila përfshin një listë të gjatë detyrimesh sipas legjislacionit aktual.
Në formularin e dorëzuar në Inspektoratin e Lartë e Deklarimit të Pasurisë (ILDKPKI), Agolli do të deklaronte kompanitë “Mangus Opus Group”, aksionet nga kompania “Ardex Consulting” të cilën e kishte në pronësi me bashkëshorten. Ligji nuk e ndalon Dritan Agollin të zotërojë një kompani, por ligji e detyron që të deklarojë çdo veprimtari ekonomike fitimprurëse ose jo, të cilat aktualisht lidhen me kompanitë në fjalë.
Në mënyrë të habitshme, në vitin 2020 Dritan Agolli nuk do të deklaronte të ardhurat nga kompania “Mangum Opus Group” dhe nuk do të deklaronte në formularin e ILDKPKI-së se ishte akoma aksioner te kjo kompani.
Sipas avokates Brikena Demiraj, çdo zyrtar i lartë duhet të deklarojë aksionet, të ardhurat ose kompaninë që zotëron në formularin e ILDKPKI-së.
“Në rast se nuk bëhet ky deklarim, ka penalitete si largim nga puna ose ndjekje penale sipas udhëzimeve nga legjislacioni aktual”, tha për Vetting, avokatja Demiraj.
Në të dhënat e siguruara nga “Vetting”, Dritan Agolli rezulton aksioner i kompanisë “Magnum Opus Group” dhe nuk ka bërë kalimin pasiv të aksioneve drejt një personi të tretë. Kjo procedurë realizohet nga zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat etj për të shmangur konfliktin e interesit me detyrën, duke e rimarrë kompaninë pas mbarimit të detyrës në administratën publike. Nga informacionet e “Vetting” rezulton se Agolli ka përfituar drejtpërdrejt fonde nëpërmjet kësaj kompanie dhe një rrjeti kompanish të lidhura me atë dhe familjarët e tij, e cila hedh dyshime të forta se këto veprime janë në kundërshtim me ligjin.
Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, një zyrtar i lartë nuk mund të përfitojë fonde publike gjatë kohës që është me detyrë në administratën publike.
Por sipas “Spending.al”, databazë e organizatës AIS ajo që ngre dyshime për shkelje të ligjit nga Dritan Agolli është fakti se kompania “Magnum Opus Group” shpk gjatë periudhës 2020 – 2021 ka përfituar 2.1 milionë lekë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nën drejtimin e Blendi Klosit për hartimin e projektit “Plani Kombëtar i Menaxhimit të Sigurt të Kimikateve për 2020 – 2030”, në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze të Kimikateve.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në vitin 2023, nëpërmjet kompanisë së vet “Magnus Opus Group” i ka dhënë një hua prej 17,3 milionë lekësh ose 173 mijë euro djalit të vet Flladi Agolli te kompania që ky i fundit ka në zotërim “HMS” shpk.
Në këtë rast, kjo hua në lekë nuk rezulton e deklaruar as nga Dritan Agolli dhe as nga djali i tij, Flladi Agolli në formularin e ILDKPKI-së për vitin 2023.
Në vitin 2020, Dritan dhe Rovena Agolli do t’i kalonin aksionet e kompanisë “Ardex” ish “Ardex-Consulting” djalit të vet Flladi Agolli me të drejta të plota. Nëpërmjet numrit të kontaktit që ka vendosur te kompania “Ardex” ish “Ardex-Consulting” rezulton se Flladi Agolli ka nxjerrë në shitje një makinë luksi “Porsche Cayene” me vlerë 40 mijë euro. Por në formularët e deklarimit të pasurisë shitja apo blerja e kësaj makine nuk rezulton gjëkundi.
Por skandali me “menunë e 100 fshatrave” do të ishte vetëm sipari, pasi emri i Flladi Agollit do të përfundonte përsëri në media. Kësaj radhe emri i tij do të lidhej me skandalin e Start Up-eve, ku opozita do të akuzonte qeverinë shqiptare se shumë nga kompanitë përfituese rezultonin të lidhura me zyrtarë të lartë.
Në vitin 2022, Këshilli i Ministrave propozoi një ligj që do të hartonte kushtet e favorshme për krijimin e zhvillimin e startup-eve dhe mbështetjen e tyre, për nxitjen realizimit të ideve të reja, që sjellin risi në çdo fushë për zhvillimin ekonomik.
Në një vendim “Për Miratimin e Dhënies së Granteve për Startup-et dhe Lehtësuesit e Startup-eve”, në korrik të vitit 2022 me vendim të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj u dhanë subvencione për kompani të ndryshme. Njëra ndër kompanitë, është ajo e djalit të Dritan Agolllit, pronarit që zotëron 100% të aksioneve të “HMS” shpk, Flladi Agolli.
Qeveria duket se i dha kompanisë 4,58 milionë lekë, por në këtë rast kemi konflikt të mundshëm interesi.
Asokohe ish ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali do të mohonte akuzat se është abuzuar me fondet për start-upet, se këto fonde shkuan te persona pranë mazhorancës, pa meritokraci.
Sipas ligjit nr.10 130, datë 11.5.2009 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Drejtori Ekzekutiv emërohet ose shkarkohet me vendim të Këshillit Drejtues. Kryetari i Këshillit Drejtues është zv.kryeministri dhe kjo vendos në pikëpyetje procesin për konflikte të mundshme interesi.
Dritan Agolli “shkeli” ligjin para fushatës 2021
Në vitin 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2020. Në raport evidentohen gjetje të cilat rëndojnë pozitat e Drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli.
Nga dokumentet zbulohet se gjatë vitit të parë të pandemisë Covid-19 janë firmosur mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë rreth 23 miliardë lekë, pas datës 15 Tetor, në shkelje të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor nga disa institucione publike. Peshën më të madhe të këtyre fondeve që janë bërë në shkelje e zë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 10 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, me Aktin Normativ nr. 28/2020 është rritur me 3 miliardë lekë fondi për hapjen e 21 projekteve të reja, që nuk kishin kaluar ciklin e menaxhimit të investimeve publike. Sipas auditit rezulton se buxheti për vitin 2021 për këto projekte është 6.99 miliardë lekë, ndërkohë me ligj tavani buxhetor është miratuar 3.8 miliardë lekë duke lejuar ndërmarrje përtej kufirit të miratuar.
Disa nga këto projekte janë Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë me vlerë 818 milionë lekë, Rikualifikimi dhe sistemimi i Lumit Gjanica, Loti II, me vlerë 630 milionë lekë dhe Rikualifikimi i zonës turistike Golem në vlerën 667 milionë lekë. Plani përfundimtar rezulton në shumën 238 milion lekë, ndërkohë që tashmë janë lidhur 4 kontrata me afat 8 deri në 12 muaj në shumën 1.4 miliardë lekë në tejkalim të tavanit të viti 2021 në shumën 1.2 miliard lekë. Konkretisht projektet janë Ndërtimi i By Pass-it të Gjirokastrës, Ndërtimi i Rrugës Burrel-Sheshaj, Rruga e Vendit të Shenjtë Mali i Tomorrit, Loti 2, Rikualifikimi Urban dhe ndërtimi argjinaturës për mbrojtjen nga Vjosa.
Sipas kryetarit të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, mënyra se si përqendrohen fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë indicie për favorizime, që lidhen me politikën.
“Kjo ndodh pasi mund të jenë arsye që lidhen me lidhjet e shkurtra politike në qeverisjen e vendit, të cilat në vetvete mund të jenë shkak për korrupsion të kamufluar”, u shpreh për “Vetting” kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Sipas auditit evidentohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë pagesa ndaj kompanive në vlerën 16.5 miliardë lekë për projekte që supozohej të ishin realizuar punimet në masën 62%. Por nga verifikimet rezulton se kompanitë faktikisht kishin realizuar punimet vetëm në masën 20% ose 3.27 miliardë lekë përsa i përket çështjes së Rindërtimit.
Kujtojmë se të gjitha këto lëvizje financiare me fondet publike i paraprinë zgjedhjeve parlamentare 2021, gjë e cila u kritikua ashpër edhe nga opozita e vendit.
Indiciet për favorizime ndaj kompanive private mbështeten edhe nga dokumentet e administruara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Sipas këtyre shkresave evidentohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit në 17 raste për 9 projekte me vlerë 398 milionë lekë ka bërë parapagim të kontratave. Konkretisht FSHZH-ja me anë të shkresës nr. 1402/4, në 14 dhjetor 2022, i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kërkesë për miratimin e dhënies së pagesës paraprake. Disa nga këto kontratat janë “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë ”Dua të luaj”, “Qendra Multifunksionale e Zhvillimit Rajonal, Rajoni 4, Faza 1”, “Ndërhyrja Rigjenerimi Urban në Fshatra me potencial Turistik”etj.
Por në këtë rast mbështetja për pagesat paraprake është miratuar nga Ministria e Financave duke përdorur si referencë Udhëzimin nr. 9, datë 20.03.2018 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, i ndryshuar. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto kontrata nuk rezultojnë të jenë të një rëndësie të veçantë. Në këto kushte, auditi ka deklaruar se parapagimi i kontratave është në kundërshtim me Udhëzimin nr. 9 datë 20.03.2018 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9936, date 26.08.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe gjetjet e “Vetting” zbulojnë një tablo, e cila tregon se fondet publike që përdoren nuk ndjekin një proces normal prokurimi. Madje edhe vet mosdeklarimi i pasurisë nga kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ngre pikëpyetje se si janë menaxhuar paratë publike përgjatë këtyre 6 viteve.
Më 12 dhjetor 2024, Dritan Agolli do të paraqitej në SPAK, ku për rreth dy orë do të merrej në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Në daljen e tij nga zyrat e SPAK-ut, kreu i FSHZH-së nuk bëri asnjë koment për arsyet e marrjes në pyetje.
Ndërkohë fshatrat si zona prioritare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdojnë të rrudhen dhe sot fshati është më i braktisur se kurrë. Kapitali për të ndihmuar bujqit dhe fermerët nuk injektohet drejtpërdrejt te ekonomia private por në rrugë që nuk kalojnë njerëz, në depo uji që nuk ka kush t’i shfrytëzojë apo në biznese që nuk kanë njerëz që t’i menaxhojnë.
Investimet janë rritur nga viti në vit, por qellimi dhe efekti i tyre nuk ka përmirësuar ekonominë e banorëve në zonat përreth. Ky investim është përqendruar te zhvillimi dhe pasurimi i një pakice. Kjo e fundit sundon dhe po zhvillohet mbi një shumicë të shtypur, e cila sipas Bankës Botërore dhe INSTAT po varfërohet nga viti në vit.