Në ditën e katërt të protestave në Tiranë, një grup të rinjsh u afrua te forcat e rendit për t’u dhënë dorën dhe për t’u shprehur se nuk i konsiderojnë policët kundërshtarë të kauzës së tyre.
“Hiqni kapelat!”, thirrën protestuesit, përpara se të këndonin himnin kombëtar përballë efektivëve. Njëri prej tyre u shpërndau edhe disa shishe ujë policëve, duke u thënë: “Kaq lekë kisha me vete”.
Momenti i afrimit mes të rinjve dhe efektivëve nuk zgjati shumë. Një drejtues policie ndërhyri, duke u kërkuar protestuesve të shpërndaheshin ose të vijonin tubimin në mënyrë të qetë.
“S’kanë nevojë për ujë policët”, u shpreh ai.
Të rinjtë këmbëngulën se nuk kishin asgjë kundër punonjësve të Policisë së Shtetit, duke bërë dallimin mes uniformave blu dhe objektivit të protestës së tyre.
Prej katër ditësh, studentët dhe të rinjtë po protestojnë në kryeqytet, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Ky episod solli një moment afrimi me efektivët, në një protestë që ditët e fundit është shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje.







