“Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” është mesazhi që protestuesit kanë zgjedhur të përcjellin përmes bluzave të tyre gjatë tubimit të sotëm para Kryeministrisë, në shenjë solidariteti me 28-vjeçarin e plagosur rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së një dite më parë.
Në ditën e 13-të të revoltës studentore, të rinjtë kanë vendosur ta kthejnë rastin e Erjonit në një nga mesazhet kryesore të protestës, duke shprehur mbështetjen për të dhe familjen e tij.
Erjon Vishkulli është nisur drejt Italisë, ku pritet të marrë trajtim më të specializuar mjekësor, me shpresën për të shpëtuar shikimin e syrit të dëmtuar.
Përmes mbishkrimit “Të gjithë jemi Erjon”, protestuesit kanë përcjellë një mesazh solidariteti me 28-vjeçarin, ndërsa kanë ngritur edhe shqetësime për përdorimin e forcës nga policia gjatë demonstratave.
Plagosja e të riut ka nxitur reagime të shumta publike. Në vëmendje kanë qenë edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ka bërë të ditur se është angazhuar për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të Erjonit jashtë vendit.
Me këtë mesazh në veshjet e tyre, protestuesit kanë zgjedhur ta mbajnë në qendër të vëmendjes gjendjen e 28-vjeçarit dhe kërkesën për përgjegjësi lidhur me rrethanat e plagosjes së tij.







