Motra e Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës, ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke shprehur zemërimin për atë që i ndodhi të vëllait dhe duke kërkuar drejtësi.
Përmes një postimi në Instagram, ajo ka publikuar një fotografi teksa përqafon Erjonin, të shoqëruar me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar politikanëve dhe efektivëve të policisë.
“E ju plehra të politikës dhe ju policë të shitur do e paguani çdo dhimbje që përjetoi vëllai im dhe familja jonë!!! Drejtësi dhe hakmarrje”, shkruan ajo në postimin e saj.
Në një tjetër reagim, motra e 28-vjeçarit ka kundërshtuar edhe deklaratat publike lidhur me trajtimin e tij mjekësor në Itali. Ajo i ka cilësuar ato si përpjekje propagandistike për të zhvendosur vëmendjen nga ngjarja dhe për ta paraqitur atë si protagonizëm politik.
“Unë jam motra e Erjon Vishkullit dhe e kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë, dhe jo shteti”, shprehet ajo.
Reagimi vjen pas plagosjes së Erjon Vishkullit gjatë protestës, ku ai u godit në syrin e majtë nga një plumb gome. Për shkak të dëmtimit dhe rrezikut për shikimin, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë për trajtim më të specializuar.
Ngjarja ka nxitur reagime dhe shqetësim, ndërsa familjarët e të riut kërkojnë drejtësi dhe sqarimin e plotë të rrethanave në të cilat ai u plagos.







