Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.R., nën dyshimin për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është dorëzuar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.R., së bashku me personat e tjerë të përfshirë në aktakuzën e ngritur më 11 shtator 2024, dyshohet se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, si pjesë e një grupi terrorist të strukturuar dhe të armatosur rëndë.
Si pasojë e sulmit në Banjskë, ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa një zyrtar policor ishte plagosur dhe disa të tjerë ishin lënduar.
Prokuroria pretendon se qëllimi i grupit ishte destabilizimi i strukturave kushtetuese të Kosovës dhe shkëputja e pjesës veriore të vendit, me synimin për t’ia bashkuar atë Serbisë.







