Wednesday, July 22, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home Ekonomi

Stresi termik ul prodhimin e qumështit me 25%, çfarë rekomandojnë ekspertët

Redaktor Redaktor by Redaktor Redaktor
in Ekonomi
0
Stresi termik ul prodhimin e qumështit me 25%, çfarë rekomandojnë ekspertët
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Stresi nga nxehtësia po ul ndjeshëm prodhimin e mishit dhe qumështit dhe po zvogëlon normat e riprodhimit të kafshëve.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë viteve 2018–2024 prodhimi i qumështit ka rënë me rreth 25%. Ekspertët rekomandojnë si masa mbrojtëse, sisteme ftohjeje dhe ndryshime në përbërjen e ushqimit, për të ulur stresin termik dhe për të ruajtur rendimentin e fermave.

Blegtoria është një sektor kyç i ekonomisë bujqësore, duke kontribuar pothuajse 50% të prodhimit total bujqësor. Në Shqipëri, 42,85% e territorit përdoret për bujqësi, ndërsa livadhet dhe kullotat e përhershme zënë 17,45% të sipërfaqes totale. Për shumë zona rurale, blegtoria është burim kryesor punësimi dhe të ardhurash, duke mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin e komuniteteve.

Megjithatë, vitet e fundit sektori blegtoral ka pësuar një rënie, prodhimi i qumështit të lopëve ka rënë rreth 24%, ndërsa ai i dhive dhe deleve ka pësuar ulje deri në 25%.

 

Ndryshimet klimatike po sjellin pasoja serioze për industrinë e qumështit, sidomos për shkak të rritjes së temperaturave dhe valëve të të nxehtit.

“Ndryshimet klimatike nuk janë modë dhe as një debat teorik. Ato janë një problem real që po prek drejtpërdrejt blegtorinë dhe prodhimin e qumështit. Goditja e parë është ekonomike, sepse çdo rënie e prodhimit reflektohet menjëherë në të ardhurat e fermerit. Por përpara se të shfaqet dëmi financiar, problemi nis me shëndetin e kafshëve. Në kushte të nxehti ekstrem, lopët dhe bagëtitë bëhen më të ndjeshme ndaj infeksioneve, pasi shtohen edhe vektorët dhe mikroorganizmat që përhapen më lehtë në temperatura të larta. Njëkohësisht, rriten problemet me riprodhimin: fekondimi bëhet më i vështirë, shtohen dështimet e hershme të shtatzënisë që shpesh nuk kuptohen në kohë, dhe kjo reflektohet më pas në numrin e viçave dhe në ciklin e laktacionit. Me pak fjalë: më pak viça sot do të thotë më pak prodhim qumështi nesër”,– thotë Prof. Dr. Petrit Dobi,Drejtori i Programit të Mbështetjes së Zonave Rurale.

Një nga shenjat kryesore të stresit të nxehtësisë është ulja e oreksit. Kur lopët hanë më pak, trupi i tyre futet në mungesë energjie, humbin peshë dhe rriten nivelet e yndyrnave në gjak. Megjithatë, studime të tjera tregojnë se ulja e ushqimit shpjegon vetëm një pjesë të rënies së prodhimit, sepse nxehtësia ndikon edhe në mënyrën si shpërndahen lëndët ushqyese brenda trupit.

Sipas të dhënave shkencore, lopët nën stres të nxehtësisë prodhojnë më pak qumësht dhe cilësia e qumështit bie. Reduktohen përqindja e yndyrës dhe proteinës, duke e bërë qumështin më pak të vlefshëm për tregun. Në disa raste është vërejtur rënie e prodhimit me disa kilogramë qumësht në ditë, ndërsa në zona Mesdhetare, ulja mund të arrijë deri në 20% gjatë periudhave të nxehta.

Sipas Dobit, edhe pse në Shqipëri ka ende pak studime konkrete që matin ndikimin e ndryshimeve klimatike në prodhimin blegtoral, përvoja e vendeve të zhvilluara tregon se rënia e prodhimit në periudha të stresit termik që zgjasin disa ditë mund të arrijë deri në 15%. Dëmi nuk lidhet vetëm me uljen e sasisë së qumështit, por edhe me rënien e cilësisë dhe shëndetit të kafshëve. Në shumë raste llogaritet se për çdo rritje prej 1°C mbi normalen, mund të humbë rreth gjysmë litri qumësht për lopë në ditë. Kur kjo shumëzohet me numrin e krerëve dhe me javët e temperaturave të larta, humbja bëhet e konsiderueshme.

Përveç uljes së prodhimit, nxehtësia rrit edhe rrezikun e sëmundjeve. Në verë, kushtet e nxehta dhe të lagështa favorizojnë shumimin e baktereve dhe infeksioneve. Një nga problemet më të zakonshme është mastiti (infeksioni i gjirit), i cili shfaqet më shpesh gjatë periudhave të nxehta dhe dëmton cilësinë e qumështit. Studime kanë treguar rritje të baktereve si E. coli dhe Staphylococcus aureus në qumësht gjatë stresit të nxehtësisë.

Po ashtu, temperaturat e larta mund të ndikojnë negativisht në shëndetin riprodhues të lopëve, duke rritur rrezikun për infeksione të mitrës dhe duke ulur shanset për fekondim dhe shtatzëni të suksesshme.

“Ndryshimet klimatike nuk ndikojnë vetëm te kafshët, por edhe te baza ushqimore e tyre. Prodhimi i foragjereve preket fort, sidomos gjatë stinës së thatë. Misri, i cili është një nga foragjeret kryesore në Shqipëri, është edhe ndër më të ndjeshmit ndaj thatësirës. Kur uji mungon dhe temperaturat rriten, rendimenti i misrit bie, çmimi i ushqimit rritet dhe barra financiare bie mbi fermerin. Kjo krijon një zinxhir humbjesh që rëndon drejtpërdrejt në xhepin e çdo familjeje që jeton nga blegtoria”,- shprehet për Klima Sot, Prof. Dr. Petrit Dobi.

Si duhet të përgatitet industria e qumështit sipas Prof. Dr. Petrit Dobi.

Përballë kësaj situate, fermerët duhet të përshtaten dhe të ndërmarrin masa konkrete në stalla dhe në menaxhimin e fermës.

Një nga hapat më të rëndësishëm është kontrolli i mjedisit në stallë, duke siguruar ajrosje sa më të mirë. Edhe me struktura të thjeshta, si dritare të mjaftueshme, hapje sipër për qarkullimin e ajrit, ventilatorë apo sisteme spërkatjeje me ujë, mund të ulet ndjeshëm stresi termik tek kafshët. Spërkatja me ujë, megjithatë, duhet bërë vetëm kur stallat janë të ajrosura mirë, sepse përndryshe rritet lagështia dhe situata përkeqësohet. Ajrosja mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt, veçanërisht në mjedise të hapura.

Një tjetër element që kërkon vëmendje është zgjedhja e racës. Jo të gjitha racat reagojnë njësoj ndaj nxehtësisë. Racat vendase apo më të përshtatura si Buna dhe Alpina janë më rezistente, ndërsa racat me prodhim të lartë, si Laramania, për shkak të intensitetit metabolik dhe prodhimit më të madh të nxehtësisë së brendshme, janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta. Sot ka edhe studime që po shkojnë drejt seleksionimit të racave me gene më rezistente ndaj stresit termik, për shembull ato me qime më të shkurtra.

Paralelisht duhet rishikuar edhe struktura e foragjereve. Jonxha, edhe pse është reduktuar vitet e fundit, mbetet një nga kulturat më të rëndësishme sepse është më rezistente ndaj thatësirës dhe siguron ushqim cilësor. Për më tepër, ajo pasuron tokën me azot dhe rrit pjellorinë, ndaj nuk mund të zëvendësohet thjesht me blerjen e miellit të jonxhës. Në kushte të vështira ujore, alternativa të vlefshme janë kultura si sorgumi dhe sudangrasi, bimë që dikur janë përdorur gjerësisht në Shqipëri.

Sorgumi, i ngjashëm me misrin, është më rezistent ndaj thatësirës dhe në kushte të nxehta mund të japë rendiment më të lartë se misri, edhe pse më pak vlera ushqyese. Për kullota mund të shfrytëzohen kultura si festuka, që përshtatet mirë në kushte të ndryshme klimatike.

Një nga masat më të rëndësishme lidhet me mënyrën e të ushqyerit. Në periudha të nxehta, duhen përdorur racione më të përmirësuara dhe foragjere të cilësisë së mirë, që treten më shpejt dhe qëndrojnë më pak në rumen, sepse vetë procesi i tretjes prodhon nxehtësi.

Racionet me më pak celulozë ndihmojnë në uljen e prodhimit të nxehtësisë gjatë tretjes. Mund të ndihmojë edhe shtimi i koncentratit ose i yndyrnave, pasi yndyrnat kalojnë më shpejt në sistemin tretës dhe nuk rrisin aq shumë nxehtësinë e brendshme.

Po ashtu, ndryshimi i orareve të ushqyerjes është një masë shumë praktike: ushqimi duhet të përqendrohet në orët e freskëta, nga mbrëmja deri në mëngjes, sepse nxehtësia ul oreksin dhe kjo reflektohet menjëherë në sasinë e qumështit.

Edhe pse mund të duket si diçka futuristike, ka ardhur koha që fermat të përdorin teknologji të thjeshta për të matur indeksin temperaturë-lagështi në stallë, përmes sensorëve. Kjo do t’i ndihmonte fermerët të kuptojnë kur situata bëhet kritike dhe të marrin masa në kohë, si ventilim, spërkatje apo ndryshim i menaxhimit të tufës. /Klima.al

Previous Post

“Bën çdo lloj pune”/ Kush është vajza shqiptare që përmendet në dosjen ‘Epstein’, zbardhet e-maili

Next Post

Betonizohen tokat bujqësore në rrethinat e Tiranës, çmimet 70 herë mbi mesataren e BE-së

Next Post
Betonizohen tokat bujqësore në rrethinat e Tiranës, çmimet 70 herë mbi mesataren e BE-së

Betonizohen tokat bujqësore në rrethinat e Tiranës, çmimet 70 herë mbi mesataren e BE-së

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës
AKTUALITET

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës

by Redaktor Redaktor
July 19, 2026
0

Pamjet e kamerave të sigurisë janë një nga provat mbi të cilat Prokuroria mbështet dyshimet për përvetësimin e 69 milionë...

Read moreDetails
Policia fsheh ngjarjen e rëndë?! Aksidenti i rëndë, një person në koma, asnjë sqarim nga uniformat blu

Policia fsheh ngjarjen e rëndë?! Aksidenti i rëndë, një person në koma, asnjë sqarim nga uniformat blu

July 21, 2026
Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

July 19, 2026
Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

July 21, 2026
Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

July 17, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Alarm ushqimor në Shqipëri/ Tërhiqet nga tregu supa e ngrirë italiane, e gjithë sasia ishte shitur

Alarm ushqimor në Shqipëri/ Tërhiqet nga tregu supa e ngrirë italiane, e gjithë sasia ishte shitur

July 22, 2026
Përplasja Rama–Becchetti, faturë milionëshe për qytetarët/ Zbulohen kostot e mbrojtjes ligjore

Përplasja Rama–Becchetti, faturë milionëshe për qytetarët/ Zbulohen kostot e mbrojtjes ligjore

July 22, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al