Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten ligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili parashikon mbrojtje të veçantë për Guvernatorin nga masat shtrënguese që lidhen me vepra penale të kryera në ushtrimin e detyrës. Sipas dispozitave të miratuara, Guvernatori nuk mund të ndalohet apo të privohet nga liria personale dhe e lëvizjes, si dhe nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit personal apo të banesës për këto vepra.
Miratimi i ligjit vjen në një kohë kur SPAK po zhvillon hetime lidhur me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe rolin e drejtuesve të saj në procesin e licencimit të institucioneve financiare të mikrokredisë.
Edhe pse informacionet zyrtare për hetimin janë të kufizuara, të dhëna nga Gjykata e Lartë tregojnë se SPAK ka paraqitur rekurs kundër një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit, në kuadër të procedimit penal nr. 91 të vitit 2024. Çështja lidhet me sekuestrimin e pajisjeve elektronike, përfshirë kompjuterë dhe telefona, që u përkasin disa drejtuesve dhe punonjësve të Bankës së Shqipërisë.
Në dokumentet e publikuara në regjistrin e Gjykatës së Lartë përmenden Denis Derralla, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes, Jonida Kaçani, zëvendësdrejtore e këtij departamenti, si dhe Manjola Dyrmishi, përgjegjëse sektori në të njëjtin departament.
Sipas të dhënave të çështjes, kërkesa lidhet me fatin e pajisjeve të sekuestruara, ndërsa SPAK kundërshton kthimin e tyre. Arsyet e plota për mbajtjen e pajisjeve dhe përmbajtja e tyre nuk janë bërë publike.
Çështja pritet të shqyrtohet më 3 nëntor 2026 nga trupi gjykues i përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj.
Hetimi vijon të mbetet nën kufizime për sa i përket informacionit publik, ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të qartësojë më tej çështjen e sekuestrimit të pajisjeve elektronike.







