Pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila një ditë më parë rrëzoi përkohësisht vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotin e seancave në shkallën e parë të GJKKO-së, avokatët nuk janë paraqitur në gjyqe.
Vetëm gjatë kësaj të enjteje kanë dështuar të paktën 10 seanca gjyqësore, mes tyre edhe ato për çështjen Meta-Kryemadhi dhe dosjen e Sterilizimit, ku është i përfshirë ish-ministri Ilir Beqaj.
Avokatët janë në pritje të një qëndrimi nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila pritet të zhvillojë një mbledhje për të diskutuar situatën dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Deri në marrjen e një vendimi të ri, bojkoti mbetet në fuqi.
Bojkoti i proceseve gjyqësore në GJKKO nisi më 9 shtator, në shenjë proteste ndaj një rregulloreje të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të cilën avokatët e konsiderojnë censuruese.






