Më 1 qershor 2022, Fatmir Bektashi, biznesmen, pronar ose bashkëpronar i një numri kompanish ndërtimi në Tiranë, i dërgoi një email zyrës së vet të parapëlqyer të noterisë. Ai bënte me dije për efekt mbajtje llogarish: “Janë tërhequr dividend nga Z.Fatmir Bektashi 637 mijë euro dhe janë paguar për Z.Malltezi: paguar CASH vlera 547 mijë euro dhe 90 mijë euro fatura konsulence.”
Mbajtja e kontabilitetit është një punë rutinë, por e domosdoshme e biznesit, vetëm se në këtë rast, ruajtja e sekretit kishte gjithashtu një rëndësi vendimtare. Ky sekret ra megjithatë në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, pasi hetuesit sekuestruan komputerin në zyrën e noterisë ku mbaheshin llogaritë e Jamarbër Malltezit.
Të dhënat ndihmuan prokurorët që të zbërthenin një histori të komplikuar biznesi, përmes së cilës, Malltezi arriti të përfitojë së paku 5.4 milionë euro, duke u nisur nga një aset modest i trashëguar prej 1/67 pjesë, ose 113.7 metra katrorë tokë në total, e gjitha brenda një periudhe disavjeçare.
Malltezi u arrestua të shtunën nga policia dhe pritet të përballet në gjyq me akuzën e korrupsionit pasiv, të kryer në bashkëpunim me vjehrrin e tij, ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit, i vendosur në masë sigurimi detyrim paraqitjeje, i ka hedhur poshtë akuzat si hakmarrje politike dhe ligjërisht të pabazuara.
Dosja voluminoze prej 199 faqesh, e cila mbështeti kërkesën e prokurorisë për masë sigurie për Malltezin, Berishën dhe biznesmenin Fatmir Bektashi pretendon se suksesi i Malltezit në shumëfishimin e pronës së tij lidhet me gatishmërinë e ish-kryeministrit Berisha për të ndryshuar ligje apo vendime të qeverisë, si dhe me përdorimin prej tij të strukturave qeveritare si mjet shantazhi ndaj zyrtarëve që shfaqnin dyshime apo rezistonin ndaj kërkesave të Malltezit.
Dosja vëren gjithashtu se Malltezi arriti të fitojë shumat marramendëse jo vetëm si bashkëpronar i truallit mbi të cilin u ndërtuan pallatet, por kryesisht falë pozicionit të tij si aksioner i fshehtë në kompaninë sipërmarrëse “Homeplan” me përfitime dividentësh dhe pagesash konsulence, një pjesë e të cilave nuk janë deklaruar në Tatime.
Pronarët dhe çelësi i suksesit
Sipas hetimit të kryer nga SPAK, Malltezi është një nga trashëgimtarët e familjes Begeja në një pronë të ndodhur në një zonë dikur periferike të Tiranës, por që është zhvilluar shumë pas rënies së komunizmit. Në fillim të viteve ’90, ata u përballën me pengesat ligjore të vendosura nga vetë ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave, të miratuar nga mazhoranca e Partisë Demokratike.
Ligji premtonte kthimin e pronave kur ato ishin të lira dhe kompensimin e tyre, kur ato ishin të zëna. Për t’u shtuar telashet e pronarëve të tokës në fjalë, prona e tyre, jo vetëm që konsiderohej jo e lirë për kthim për shkak se kishte disa ndërtesa, pjesë e kompleksit sportiv “Partizani”, por ajo konsiderohej edhe aset i Forcave të Armatosura.
Ndërsa pronarëve u mbeti në dorë akti i njohjes së pronësisë së tokës, qeveria socialiste e kohës nisi një fushatë privatizimesh masive të të ashtuquajturave ndërmarrje shtetërore, të cilat u shitën me supozimin se ishin kompani që do të duhej të punonin si kompani të industrisë, por që në fakt, u shitën për çmime qesharake dhe blerësit dukshëm ishin të interesuar vetëm për vlerën e tokës së tyre. Një nga asetet që supozohej se duhej të shiteshin si kompani ishte edhe terrenet sportive të klubit “Partizani”. Gjithsesi, terrenet sportive në fjalë nuk u privatizuan nga qeveria socialiste para vitit 2005.
Një ligj që parashikonte dhënien e objekteve sportive me koncesion u miratua nga parlamenti socialist pak para zgjedhjeve të vitit 2005 dhe mbeti pezull për shkak se socialistët u rrëzuan nga pushteti.
Qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha erdhi në pushtet në vitin 2005. Pas kësaj, pronarët e tokës kërkuan të drejtën e parablerjes së objekteve të klubit “Partizani”, por zyrtarë të ndryshëm të maxhorancës u bënë të ditur atyre se qeveria e re nuk kishte plane për privatizim.
Situata duket se ndryshoi nga janari i vitit 2006 e më pas, kur një pjesë e pronarëve të truallit, zgjodhën Jamarbër Malltezin si përfaqësues të tyre.
Ata madje nënshkruan kontrata për t’i njohur atij nga prona takuese e secilit, një kuotë prej 3-5% “për shpenzime”.“E veçanta në prokurat e përfaqësimit të lëshuara për shtetasin Jamarbër Malltezi, është se këta shtetas, parashikojnë se ndërkohë që i japin tagre siç janë për veprime në Komitetin Shtetëror të Pronave dhe në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave…, të lidhet me firma ndërtuese, parashikojnë gjithashtu se për arritjen e këtij qëllimi, të gjithë përfaqësuesit në vënë në dispozicion të përfaqësuesit të tyre një kapital që fillon nga 3-5% të pasurisë së tyre të paluajtshme për krijimin e një fondi rezervë për përballimin e shpenzimeve emergjente dhe të paparashikuara,” vëren prokuroria.
Problemet, të cilat dukeshin si në mur i pathyeshëm burokracie dhe mungese vullneti nga ana e zyrtarëve të qeverisë, filluan të marrin zgjidhje. Dhe suksesi i parë duket se erdhi aty nga ku pritej më pak. Sipas prokurorisë, Bashkia Tiranë, më 8 qershor 2006, pak muaj pasi pronarët kishin caktuar përfaqësues Malltezin dhe kishin nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë Kontakt, vendosi të riklasifikojë pronën nga terren sportiv në truall për ndërtim. Prokuroria vëren se vendimi i bashkisë për ndryshimin e destinacionit të përdorimit të pronës duket se nuk lejohej nga ligji i urbanistikës.
“Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave ish pronarëve, kur këto prona gjenden në territore të tilla, KRRT-të e të gjitha niveleve nuk kanë të drejtë të ndryshojnë destinacionin e përcaktuar në studimin e miratuar,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.
“Por pavarësisht, parashikimit të mësipërm ligjor, rezulton se premtimi i bërë në kontratën e sipërcituar, është realizuar, pasi me vendimin nr. 132 datë 08.06.2006 të kryetarit të KRRT- së, Bashkia Tiranë (nr. 277 prot datë 28.06.2006), është vendosur ndër të tjera që, të miratohet kërkesa për ndryshim të destinacionit”, vijon më tej SPAK, pa përmendur se kush ishte kryetari i KRRT-së së Bashkisë Tiranë në këtë kohë.
Ndërsa emri i kreut të KRRT-së së Bashkisë Tiranë mungon në vendim, aty thuhet se ky ndryshim u konfirmua në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit, kryetar i së cilës, në atë kohë, ishte shtetasi Sali Berisha.
Berisha e përdori këtë fakt për të ilustruar argumentin e tij se akuzat janë të motivuara politikisht, duke shtuar se destinacioni i tokës ishte ndryshuar nga Rama.
I pyetur nga BIRN mbi akuzat e Berishës në lidhje me rolin e Ramës në këtë çështje, SPAK tha se “nuk komenton deklaratat e subjekteve nën hetim”.
Zyra e shtypit e kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ligje me porosi
Pavarësisht se institucionet shtetërore filluan të reagojnë më mirë pas përfaqësimit të pronarëve nga Malltezi, ligjet e vendosura pikërisht nga Partia Demokratike në fillim të viteve ’90 duket se i bënin pengesat për marrjen e tokës sërish të jashtëzakonshme. Sipas SPAK, Berisha u tregua i gatshëm të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore, që në instancë finale i shërbenin interesave financiare të dhëndrit të tij.
Në qershor të vitit 2008, Këshilli i Ministrave propozon në parlament ndryshime në ligjin Për Sportin, duke parashikuar që, “terrenet sportive, mund të privatizohen nga pronarët e truallit.” Prokuroria vëren se si, në mënyrë shumë ironike, relacioni shoqërues për ndryshimin ligjor sugjeron se ndryshimi është “në përputhje me politikën qeveritare, për zhvillimin e sportit, rritjen e shërbimit cilësor, për arritjen e nieveleve të larta në sport”… ndërsa rezultati final dukej se nuk kishte të bënte me sportin por me ndërtimin.
Prokuroria vëren se ndërsa Këshilli i Ministrave propozoi ndryshimin ligjor, procedurat për privatizimin ecën me shpejtësi. Në pronën për privatizim u përfshinë jo vetëm 2.2 hektarë pronë me pronar, por edhe 0.42 hektarë tonë pronësi shtetërore.
Në dhjetor 2008, Këshilli i Ministrave, drejtuar nga Sali Berisha, merr një vendim tjetër, në bazë të së cilit, pronat shtetërore privatizoheshin duke u paguar 20% me lekë dhe 80% me bono privatizimi. Rrjedhimisht, pjesa shtetërore e tokës në fjalë u privatizua me një çmim substancialisht më të ulët, për shkak se bonot e privatizimit, dokumente të lëshuara fillimisht në vitin 1996, kanë vlerë tregtare sa 3 apo 5% të vlerës nominale.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministave ku diskutohej ky ndryshim, Berisha e mirëpriti propozimin e ministrit të atëhershëm Ruli për përfshirjen e letrave me vlerë në privatizim për ish-pronarët.
“Bravo, jepe këtë njoftim, se edhe kjo përbën risi,” citohet Berisha.
“Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndarë, duhet të gjejmë mënyrat t’i ndihmojnë, t’i heqim këto letrat me vlerë,” shton ai.
Aksioner ‘hije’
Deri në vitin 2018, kompania “Homeplan”, e cila ndërtoi kullat, rezultonte nën pronësinë 100% të Fatmir Bektashit. Ai nënshkruan të gjitha vendimet në emër të aksionerit dhe tërheq dividentët. Por diku në një zyrë noterie në Tiranë, dokumente të padorëzuara në institucionet shtetërore shpërndajnë dividentë apo mbajnë shënim pagesat e dividentëve për Jamarbër Malltezin. Dividentët shpërndahen në bazë të një kontrate noteriale të paregjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilin, Malltezi rezulton pronar i kompanisë që mori përsipër zhvillimin e pronës me 35%. Ai njëkohësisht faturon dhjetëramijëra euro kompaninë Homeplan për “shërbime konsulence.”
Prokuroria vëren se si në komunikimet e kapura në zyrën noteriale, termat “pagesë konsulence” dhe “divident” përdoren në mënyrë të ngatërrueshme me njëra-tjetrën. Sipas prokurorisë, kjo “ngre dyshimin e arsyeshëm se, është bërë me qëllim marrjen nga ky shtetas, të përfitimeve të shoqërisë Homeplan, pavarësisht se nuk ka qenë ligjërisht ortak i kësaj shoqërie.”
Prokuroria vëren gjithashtu se në dokumentet e kompanisë, shuma prej mijëra apo dhjetëramijëra eurosh i paguhen Malltezit duke e identifikuar atë vetëm me iniciale, si dhe “herë pas here edhe me fjalët “KP” ose “Kontribut Patriotik”.” Sipas një prej dëshmitarëve të marrë në pyetje nga prokuroria, nuk ishte e qartë se pse përdorej termi “kontribut patriotik”, por ishte e dukshme se ky term përdorej edhe për pagesat ndaj Malltezit nga ana e Fatmir Bektashit.
Për arsye që nuk dihen, ortakët vendosën të bëjnë një kontratë të re në vitin 2014, të cilën e depozituan zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2018. Në kontratë, shtetasi Fatmir Bektashi i shet, me pëlqimin e bashkëshortes së tij, Malltezit 35% të aksioneve për vlerën nominale prej 35 mijë lekësh.
Prokuroria vëren anomalinë: deri në fund të vitit 2013, kompania kishte fitime të pashpërndara në shumën 362 milionë lekë. Me shumë kulla në proces ndërtimi, shitja e 35% të aksioneve të saj për 35 mijë lekë ngjan e pagjasë. Në fakt, prokuroria dyshon se transaksioni ka shërbyer si një mënyrë për të justifikuar transferimin e parave nga kompania për te Malltezi, i cili tashmë dyshohet se ka qenë aksioner hije, ndonëse nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se ai ka investuar para në kompani.
Një fakt i tillë është pranuar në prokurori edhe nga Fatmir Bektashi, i cili tha se Malltezi ka qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë “Homeplan”, “pavarësisht se kur janë pasqyruar gjërat në Qendrën Kombëtare të Biznesit”.
Për rrjedhojë, sipas dyshimeve të prokurorisë, aksionet dhe dividentët e përfituar, janë përfituar në shkëmbim të vendimeve favorizuese të shtetasit Sali Berisha, kryeministër.
Berisha, i cili ka folur gjerë e gjatë mbi akuzat gjatë ditëve të fundit, ka dhënë një numër argumentesh se pse akuza kundër tij është e pabazuar në ligj. Argumenti kryesor është që Malltezi nuk është anëtar i familjes Berisha në kuptim të ligjit. Prokuroria thotë se tashmë prej vitesh në Shqipëri është konsoliduar parimi juridik se pasuritë e vëna gjatë regjimit martesor, i takojnë në mënyrë të barabartë burrit dhe gruas e për rrjedhojë, duke qenë se vajza e ish-kryeministrit ka përfituar nga skema e dyshuar korruptive, atëhere një familjar i Berishës ka përfituar falë vendimeve të ndërmarra nga Berisha.
Berisha preku këtë element të akuzës në një konferencë për shtyp të hënën.
“Këta përdhosës të ligjit, për të akuzuar vajzën time për llogari të Edi Ramës, nuk i referohen ligjit të ILDKP, por ligjit të bashkësisë familjare, por edhe atë e interpretojnë sipas oreksit të Edi Ramës. Sepse edhe ai ligj e përjashton”, deklaroi ai.
“Ai ligj thotë se të gjitha janë bashkë, përveç pasurisë që vjen dhe fitohet nga trashëgimia. Argita Malltezi nuk ka asnjë qindarkë nga trashëgimia e bashkëshortit. Trashëgimia e bashkëshortit ka qenë Begeja, gjyshja e tij,” shtoi Berisha. /BIRN/