Shtatë fëmijë të kopshtit numër 10 në Vlorë vijojnë të jenë të shtruar në repartin e pediatrisë në spitalin rajonal. Ata po marrin trajtim mjekësor, pas shfaqjes së simptomave që kanë ngritur dyshimet për një rast të mundshëm helmim.
Të miturit janë paraqitur në spital me temperature, diarre dhe të vjella, ndërsa dyshimet janë përqëndruar te uji I pijshëm, ose ushqimi I konsumuar në kopësht, I cili, sipas informacioneve, sigurohej nga një kompani furnizuese me adresë në Lushnje.
Mjekët po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërkohë janë në pritje të përgjigjes së analizave nga sektori epidemiologjik.
Burime zyrtare thonë se rezultatet pritet të dalin nesër dhe mund të hedhin dritë mbi shkakun e simptomave që shfaqin fëmijët.
Një ditë më parë ngjarja vuri në lëvizje edhe strukturat e Policisë, ku efektivë të saj janë paraqitur në ambientet e Pediatrisë për t’u informuar mbi situatën dhe gjendjen e fëmijëve. Ndërkohë, pritet që autoritetet të kryejnë verifikimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.







