Një gjykatë federale në Detroit ka dënuar me 25 vjet burg shtetasin shqiptar Ylli Didani, 48 vjeç, i lidhur me një konspiracion ndërkombëtar të trafikimit të kokainës, thanë zyrtarët federalë.
Prokurorët deklaruan se Didani ndihmoi në transportimin e më shumë se 4,300 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në periudhën 2019–2020. Vlera e drogës në rrugë llogaritet mbi 100 milionë dollarë.
Hetimet zbuluan një metodë të pazakontë transporti: përdorimi i një pajisjeje zhytëse, e njohur si “silur kokaine”, që mund të ngjitej në trupin e anijeve dhe të gjurmohej nën ujë.
Sipas prokurorëve, Didani nuk ishte vetëm një pjesëtar i rrjetit, por një udhëheqës që koordinonte dërgesa të mëdha dhe aktivitetet e pastrimit të parave në disa vende.
Avokati i tij kishte argumentuar mungesën e juridiksionit amerikan dhe kërkoi dënim minimal prej 10 vjetësh, por gjykatësja vendosi 25 vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit, Didani pritet të deportohet.








