Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar zyrtarisht nënshkrimin dhe ratifikimin nga Shqipëria të një kredie prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF).
Sipas njoftimit të autoriteteve amerikane, fondet do të shërbejnë për të mbështetur angazhimin e Shqipërisë në përmbushjen e objektivave të mbrojtjes të dakordësuara në Hagë, të cilat parashikojnë rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Kredia do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së pajisjeve dhe kapaciteteve ushtarake me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, duke synuar njëkohësisht forcimin e aftësive mbrojtëse të aleancës euroatlantike.
Në deklaratë theksohet se marrëveshja pasqyron partneritetin strategjik mes Uashingtonit dhe Tiranës. SHBA po ashtu vlerëson kontributin e Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Sakaq, pala amerikane vë në dukje rolin e Shqipërisë në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë pjesëmarrjen si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Donald Trump.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh për Financimin e Huaj Ushtarak (FMF), e cila do të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Mbrojtjes për të shpenzuar 5 përqind të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035.
Kredia e FMF-së do të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë duke mbështetur prokurimin e kapaciteteve kryesore me origjinë nga SHBA-ja dhe duke forcuar aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e vet.
Si një aleate e NATO-s, Shqipëria është lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kritike të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe rolin e anëtares themeluese të Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, thuhet në njoftimin e DASH.








