Zbardhen diskutimet në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së. Në këtë mbledhje është diskutuar mbi strategjinë që duhet të ndjekë opozita, vijimin e aksionit opozitar, por edhe qëndrimin që duhet të mbahet ndaj marrëveshjes Rama-Meloni për kampet e refugjatëve në Lezhë.
Gazetari Osman Stafa ka zbardhur debatet që janë zhvilluar gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, ku nuk kanë munguar as batutat. Deputeti Tritan Shehu ka deklaruar se nuk do të firmoste kërkesën drejtuar Kushtetueses për marrëveshjen Rama-Meloni, madje u shpreh se njihte vetëm Sali Berishën si autoritet.
Diskutimet e plota:
Gazment Bardhi: Propozoj dy çështje për të diskutuar në mbledhjen e sotme. E para lidhet me çështjen e marrëveshjes së emigrantëve dhe tjera për aksionin opozitar. Se pari, mendoj se bazuar në analizën e ekspertëve, propozoj që marrëveshja të dërgohet para ratifikimit në Gjykatën Kushtetuese. Unë besoj se opozita e ka për detyrë të mbrojë interesin publik. Megjithatë jam i hapur për të dëgjuar vleresimin e secilit koleg. Sa i takon aksionit opozitar besoj se qëndresa jonë i shërben interesit të qytetarëve dhe ajo duhet të vijojë edhe më fuqishëm.
Ervin Salianji: Kauza për rikthimin në shinat e kushtetutës dhe ligjshmërisë së parlamentit ka pasur sukses qoftë në sensibilizimin në media, në reagimin e partnerëve ndërkombëtarë, apo në mbështetjen e opinionit publik për drejtësinë e kauzës sonë! Thënë këtë propozoj që ta diversifikojmë aksionin! Së pari në raport me partnerët që reaguan ne duhet të jemi fleksibël për të treguar plotësisht përgjegjësinë e PS! Në këtë kontekst ne duhet të riformulojmë kërkesat pa hequr asgjë nga thelbi i tyre, të vendosim përgjegjës Ramën para opinionit dhe partnerëve! Kërkesa për rikompozimin e komisionit të reformës zgjedhore sepse kemi tjetër kontekst, gjykata pezulloi ëndrrat e disave për të qenë përfaqësueses të PD dhe ne si përfaqësueses të PD-së duhet të riparaqesim kërkesën për t’iu hequr çdo alibi! Së treti, ne pa asnjë kompleks dhe menjëherë duhet te depozitojme në Gjykatën Kushtetuese padinë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes me Italinë! Italia është partner strategjik dhe vend mik por ne përfaqësojmë qytetaret shqiptare, interesat e tyre dhe mbrojmë interesin publik dhe kushtetutën! Bashke me aksionin në parlament ne duhet të ngremë qytetaret në protestë!
Agon Gjekmarkaj: Nuk ka pse të rrimë në pozicione të ngurta, nëse kërkohet një riformulim për komisionet hetimore, mund ta bëjmë atë. Ne na intereson thelbi i gjësë, hetimi, transparenca! Nëse mazhoranca e ka këtë si punën e autokritikës në socializëm ku na thonë thellohuni edhe më, ne gojën nuk e kemi vetëm për të ngrënë, po edhe për t’ja sqaruar opinionit publik e faktorit ndërkombëtar, që ne jemi fleksibël për të realizuar kërkesat tona. Me këtë nuk po them të braktiset protesta. Nëse edhe pas riformulimeve nuk i pranojnë atëherë nuk na pengon askush të rithemi që këta thjeshtë nuk duan. Por gjëja më e rëndësishme e këtyre ditëve për mua ka qënë reagimi i faktorit ndërkombëtar qoftë edhe në mënyrë të kujdesshme në favor të kërkesave opozitare. Ne deri dje kemi kemi patur vetëm deklarata dënimi! Ata po e thonë qartë “kontroll i parlamentit mbi qeverinë”! Këtu qëndron thelbi i çështjes. Unë propozoj që të ngrihet një përfaqësi e Opozitës dhe t’i sqarojë ata pse jemi këtu dhe si e mendojmë ne zgjidhjen. Dialogu me partnerët, për mua, është tejet i rëndësishëm dhe duhet të investohemi në këtë drejtim. Edhe për ata është e qartë kush është opozita dhe me deklarimet e tyre pranohet kriza. Ne duhet të insistojmë që zgjidhja e krizës e rikthen parlamentin në normalitet dhe e bën atë funksionues. Rikthimi tek fjala është e rëndësishme sa rifitimi i të drejtave. Unë nuk jam për konflikt me Italinë për çështjen e refugjatëve, si shumëkush kam afilazione me këtë vend, por interesat e vendit tim prevalojnë atëherë rruga më e mirë për të shqyrtuar legalitetin e saj është kalimi nëpër Gjykatën Kushtetuese.
Tritan Shehu: Unë nuk e firmos!
Xhelal Mziu: Funksionojmë si grup apo jo? Nëse jemi grup duhet të firmosim të gjithë. Nëse nuk jemi grup dhe nëse do shohim interesat personal tonat, atëherë pse e quajmë veten grup? Duhet të firmosim të gjithë.
Tritan Shehu: I vetmi autoritet që unë njoh këtu është Sali Berisha. Unë nuk jam pjesë e grupit parlamentar të PD-së, se mua më kanë përjashtuar.
(deputetët qeshin)
Salianji: Grupi parlamentar ka rregullore, ky është hap dhe akt real sepse ne nuk mund të bëjmë beteja me gjasme. E kemi kundërshtuar në publik këtë marrëveshje, e kundërshton opozita në Itali, e kundërshtoi Salvini që është partner koalicioni dhe po ashtu thuajse çdo organizatë që mbron të drejtat e njeriut.
Tomor Alizoti: Kjo është ndodhia më e madhe për Shqipërinë në këto 30 vite demokraci, sipas këndvështrimit tim. Sepse asnjë vend nuk e ka pranuar këtë marrëveshje. Në radhë të parë liderët shqiptarë duhet të mësohen që nuk mund të bëjnë marrëveshje mbi Shqipërinë, sikur ta kenë pronë të tyre. Nuk shkon kjo në këtë mënyrë, që ulesh, kushdoqoftë, ulesh në disa dreka e disa darka dhe ti vendos mbi territorin shqiptar, mbi të ardhmen e shqiptarëve. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, në këtë mënyrë jo. Ne jemi shqiptar, ne jemi opozita shqiptare, përfaqësojmë interesat e shqiptarëve. Interesat e shqiptarëve janë të parat mbi të gjitha, patjetër Italia është një vend shumë i rëndësishëm, aleat, mik, por mbi të gjitha qëndrojnë interesat tona dhe kjo më shumë është një lëvizje politike, ku edhe në Itali ka kundërshtarë. Mendoj së Shqipëria nuk e përballon dot këtë, nuk ka kapacitet ta përballojë këtë marrëveshje, nuk është mirë që Shqipëria të mbaj njerëz të cilët janë në nevojë në hall, të kthehet në kampe, ose të jetë një vendparkimi për Europën. Ne si opozitë në momentin që kjo marrëveshje të kalojë në Parlament duhet të protestojmë. Nuk mund të protestojmë më fort për komisionet dhe të mos protestojmë për një gjë që bën kaq shumë lajm në Shqipëri. Opozita ka për qëllim që shetësim e popullit, zemërimin e shoqërisë, ta kthej në kauz, ky është roli i opozitës. Mendoj se kjo është një detyrë e opozitës shqiptare, të qëndrojë dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve. Po sikur populli sikur të çohet dhe të dalë në rrugë në protestë, ne nuk legjitimohemi më si opozitë. i ke rastet konkrete, çfarë ndodhi në Lampeduza, u shkatërrua ai vend. Si? Nuk shkoi më turist në atë vend. Kjo gjë mund të ndodhë edhe me Lezhën. Ne nuk mund të mbajmë problemet e të tjerëve. Nuk ka një emigracion drejtpërdrejt në Shqipëri. Shqipëria po zgjidh në këtë rast, jo një situatë humanitare, por një problem politik në Itali. Si mundet Shqipëria të marrë dhe të zgjidhë një problem global të emigrimit teksa është vetë prodhues i emigracionit. Shqipëria është një vend shumë i vogël, për të zgjidhur një problem kaq të madh.
Ina Zhupa: – Marrëveshja me Italinë nuk është në përputhje me interesin kombëtar, të shqiptarëve dhe as me kushtetutën. Juridiksionin në territorin tonë e kemi vetëm ne edhe maksimumi Nato, për misione të përbashkëta. S’mund t’i japim pjesë të territorit tonë asnjë shteti tjetër, sa do mik ta kemi. Kur vjen puna të zgjedh mes Shqipërisë dhe çdo shteti tjetër, unë zgjedh interesat e vendit tim. Ky është realizmi dhe në marrëdhënien ndërkombëtare, ashtu do zgjidhnin edhe ata para nesh. Edhe për këtë mendoj biem dakord të gjithë. Përsa i përket prishjes së marrëdhënieve të mundshme me Italinë, nuk qëndron. E para se PS çoi në Kushtetuese marrëveshjen me detin dhe nuk prishi ndonjë marrëdhënie me Greqinë, përkundrazi ato kohë edhe i forcoi. Se dyti çuarja në kushtetuese përkundrazi na bën më të ndershëm me Italinë, që ne nuk e kemi sulm politik, por lidhet me kushtetutën e vendit dhe do flasë gjykata. Ne të marrim përsipër që do respektojmë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
Asllan Dogjani: Ne s’na votojnë italianet, ne na votojnë shqiptarët. Opozita italiane ka dalë kundër kësaj marrëveshje. Dhe ne mos të çojmë në Gjykatën Kushtetuese?! Ata po i sjellin emigrantët në një burg këtu. Unë do e firmos kërkesën për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje.
Berisha: Absurdi është që një parti e majtë në Shqipëri bashkëpunon me një të djathtë në Itali. Vetë e majta në Itali po e kundërshton. Unë mendoj që rruga më e drejtë është kjo që propozohet, që ta kontrolloj Gjykata Kushtetuese. E kuptoj shqetësimin e Tritanit, por mendoj se është e arsyeshme si rrugë. Se ne jemi kundër, por nëse marrëveshja ratifikohet ajo pastaj duhet të zbatohet edhe nëse jemi ne në pushtet. Por nëse gjykata kushtetuese vendos, ne pastaj kemi vendimin e gjykatës kushtetuese për të mos pranuar marrëveshjen.